E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet e huaja në Shqipëri këtë verë kapin vlerën 2 miliardë euro

-Besimi i kompanive të huaja për të investuar në Shqipëri, dëshmi e klimës së favorshme

Qeveria miratoi sot në mbledhjen e saj disa projekte të rëndësishme që zgjerojnë edhe më tej hartën e investimeve të huaja në Shqipëri. Projekti i instalimit të linjës tregtare nënujore të interkonjeksionit Seman-Bari me një vlerë 300 milionë euro, dhe ngritja e një fabrike çimentoje nga firma spanjolle Aguila në Fushë-Krujë me vlerë 250 milionë euro, ishin dy nga vendimet më të rëndësishme të miratuara nga Këshilli i Ministrave.

Gjithashtu në mbledhjen e sotme Këshilli i Ministrave miratoi proejtkligjin për bujqësinë dhe zhvillimin rural, i cili synon të detyrojë qeverinë të ketë një ndër përparësitë e saj zhvillimin e këtyre zonave.

Duke iu referuar miratimit të një sërë vendimesh nga qeveria për projekte madhore nga kompani të njohura ndërkombëtare, Kryeministri e cilësoi verën e këtij viti si të papërsëritshme, përsa i përket nivelit gjithnjë e në rritje të investimeve të huaja në Shqipëri, të cilat kapin shifrën rreth 2 miliardë euro. Ai nënvizoi se gjatë muajve në vazhdim parashikohet miratimi i projekteve të tjera që do ta rrisin edhe më tej këtë shifër.

Kryeministri Berisha i cilësoi këto investime si jashtëzakonisht të rëndësishme për perspektivën ekonomike të zhvillimit të vendit, ndërkohë që shprehu vendosmërinë e qeverisë për lehtësimin e mëtejshëm të proçedurave për biznesin vendas dhe atë të huaj. Ai theksoi se këto projekte të mëdha të investimeve të huaja që po realizohen në vend, janë dëshmi e klimës së besimit të madh tek Shqipëria, tek stabiliteti dhe ligjet e saj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›