KRRTRSH miraton projektin madhor të gjurmës së gazsjellësit Trans-Adriatik
Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e sotme gjurmën e gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) së bashku me linjën për stokimin nëntokësor të gazit. Gjatë fjalës së tij Kryeministri Berisha e cilësoi këtë si një projekt madhor. Ai theksoi se ky gazsjellës i projektuar nga kompania e fuqishme EGL, një nga kompanitë më kryesore në këtë fushë, është ndoshta gazsjellësi më ekonomik në kuptimin e shkurtimit të distancës mes vendeve nëpër të cilat kalon, i cili e sjell gazin nga Kaspiku nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë drejt Italisë.
Gjurma kryesore e këtij projekti përfshin Shqipërinë në një korridor që do të sjellë gazin nga vendet kaspike, nga vendet e Lindjes së Mesme dhe burimet e gazit të lëngëzuar në Turqi. Projekti lidhet me rrjetin ndërkombëtar të gazit në Selanik dhe futet në Shqipëri në qarkun e Korçës për të vazhduar në jug në Kolonjë dhe Përmet dhe zonën e Tepelenës, duke kaluar më pas në rrethin e Vlorës, duke u ngjitur në veri deri në zonën e Mallkastrës për të dalë në detin Adriatik në bregdetin afër Fierit. Njëkohësisht në këtë projekt është përfshirë edhe linja që shkon në veri në drejtim të malësive të Dumresë që është një burim natyror mjaft i rëndësishëm për t`u shfrytëzuar për depozitim nëntokësor të gazit.
Kryeministri nënvizoi faktin se Shqipëria, e cila përshkohet transversialisht nga ky gazsjellës ka dhe meritën e veçantë të depozitave në disa miliarda metër kub gaz natyror, ç`ka lejon edhe përdorimin e tyre. Më tej Kryeministri e vuri theksin në lobingun që ka bërë qeveria shqiptare dhe ai personalisht, për këtë gazsjellës, ndërsa theksoi se edhe gazjellësi tjetër, i cili parashikohet të ndërtohet mbi bazën e marrëveshjes së fundit me ENI GASPROM është në përfundim e sipër, dhe projekton kalimin e një dege në Shqipëri. Kryeministri theksoi se Shqipëria duhet të shfrytëzojë maksimalisht pozicionin e saj gjeografik për interesat e saj publike, si vendi më perëndimor i Ballkanit ku distanca mes brigjeve të Adriatikut bëhet më e shkurtër.
Përfaqësuesi i kompanisë EGL theksoi se ky projekt përfaqëson një investim madhor që e përfshin Shqipërinë në një korridor nga më të rëndësishmit, i cili diversifikon burimet e gazit për Europën dhe rrit furnizimin jo vetëm për BE, por edhe për Shqipërinë dhe vendet e rajonit. Ai falenderoi qeverinë shqiptare dhe Kryeministrin Berisha për kontributin dhe asistencën që kanë dhënë si në procesin teknik ashtu edhe në atë të lobingut për ndërtimin e këtij gazsjellësi. Më tej ai shprehu gatishmërinë e kompanisë EGL për vazhdimin e bashkëpunimit me qeverinë shqiptare deri sa ky projekt të realizohet plotësisht.
Ky projekt është miratuar nga komuniteti europian si një projekt prioritar dhe ka mbështetje nga qeveria zviceriane, e cila është gjithashtu në një proçes lobingu në bashkëpunim edhe me qeverinë shqiptare dhe me mbështetjen e disa komisionerëve të BE-së për përfshirjen e Shqipërisë në këtë projekt.
Gazsjellësi ka një kapacitet fillestar prej 10 miliardë metër kub, një pjesë e të cilit mund të përdoret për TEC-et e reja që do të ndërtohen dhe për nevojat e tjera në Shqipëri.
Gjurma e projektit nuk do të kalojë në Parkun Kombëtar "Bregu i Hotovës" me qëllim mbrojtjen e këtij parku.