E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha: Investimet në Shkodër, në dy vitet e ardhshme 3 herë më të mëdha

- Kryeministri përuron përfundimin e rikonstruksionit të rrugës hyrëse të qytetit

Kryeministri Berisha zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Shkodrës, i shoqëruar nga Kryetaria e Kuvendit Jozefina Topalli dhe Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Sokol Olldashi. Kryeministri tha se investimet në qarkun e Shkodrës, gjatë këtyre dy viteve, arrijnë në 15 milion euro dhe në dy vitet e ardhshme ato do të jenë 3 herë më të mëdha. Kryeministri theksoi se në dy vitet që vijnë do të inagurohet fillimi dhe përfundimi i punimeve i urës së Bunës dhe i rrugës Shkodër - Hani i Hotit, ndërkohë është në vazhdim unaza e qytetit dhe po rikonstruktohen rrugë të tjera të tij.

Kryeministri Berisha i bëri këto të ditura gjatë përurimit të përfundimit të punimeve të rrugës hyrëse të qytetit të Shkodrës. Rruga me gjatësi 3.4 kilometra dhe katër korsi, është investim i buxhetit të shtetit me vlerë 1.5 milion euro. Kryeministri përgëzoi drejtuesit e kompanisë ndërtuese për përfundimin e punimeve 5 muaj para afatit. Kryeministri tha se qeveria do të ketë bonuse për kompanitë që përfundojnë në kohë veprat e tyre dhe se ajo mbetet e vendosur të qëndrojë ndaj gjithë atyre që me punimet e tyre vrasin kohën, e bëjnë atë të pavlerë dhe nuk respektojnë afatet.

Duke vënë theksin tek vlerat dhe bukuritë natyrore të Shkodrës, Kryeministri shprehu bindjen se kjo zonë do të jetë së shpejti një epiqendër e turizmit shqiptar, duke formuar një kompleks me Lezhën dhe Velipojën. Shkodra, tha Kryeministri, përbën një nga trevat më të lakmueshme për t'u vizituar nga turistët vendas e të huaj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›