Qeveria miraton dy investime madhore me vlerë 500 milionë euro
Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimet për dy projekte të rëndësishme që kapin shifrën e 500 milionë eurove.
Njëri prej këtyre investimeve ka të bëjë me lejen konçesionare që jepet në përputhje me ligjin e miratuar nga qeveria dhe parlamenti vetëm pak javë më parë për ndërtimin mbi bazë të investimit privat apo komercial të linjave të interkonjeksionit të rrjeteve energjetike.
Ky ligj u përshtat plotësisht me direktivën europiane të tregut të energjisë.
Projekti do të realizohet nga konsorciumi AGS, i cili parashikon instalimin e kabllit nënujor Seman-Bari, në kuadër të investimeve të këtij konsorciumi prej 2.3 miliardë euro për ngritjen e një impianti rigazifikimi të gazit të lëngshëm në Itali, dhe ndërtimin e një termocentrali 1200 megawat.
Leja miratohet mbi bazën e kushteve të njohura, të cilat parashikojnë shfrytëzimin e kësaj linje për një periudhë të caktuar nga konsorciumi në fjalë, ndërkohë që një përqindje e caktuar e kësaj linje i takon qeverisë shqiptare.
Pas një periudhe kohe që do të fiksohet në kushtet e kontratës, e gjithë linja do të mbetet pasuri publike shqiptare.
Projekti i dytë i miratuar në mbledhjen e sotme të qeverisë ka të bëjë me një investim prej 250 milionë euro, që parashikon ngritjen e një fabrike çimentoje nga kompania spanjolle Aguila në zonën e Fushë-Krujës.
Kryeministri nënvvizoi se industria e çimentos ka një perspektivë të madhe në veri ku disa kompani të mëdha italiane dhe europiane kanë prezantuar projekte për ngritjen e fabrikave të prodhimit të saj në këtë rajon.
Kompania Aguila ka përfunduar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për të nisur menjëherë ndërtimin e kësaj fabrike, e cila ka një kapacitet rreth 2 milionë ton çimento në vit dhe me perspektivë zgjerimi në të ardhmen.
Kryeministri vlerësoi se masivi i kodrave gëlqerore të Fushë-Krujës është një nga masivet më të përshtatshme për lëndën e parë të çimentos. Ai theksoi se brenda një kohe më pak se tetë javë qeveria ka miratuar dy projekte të mëdha për fabrika çimentoje me TITAN dhe Aguila, të cilat së bashku arrijnë një investim në 500 milionë euro, ndërsa theksoi se një kompani tjetër po përgatit dokumentacionin për të sjellë së shpejti një fabrikë të tretë çimentoje po në këtë zonë.