KRRTRSH miraton disa projekte të rëndësishme
Këshilli Kombëtar i Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë miratoi dje projektidenë e përgjithshme të studimit për autostradën Tiranë-Elbasan (Vaqar –Papër). Kryeministri e cilësoi këtë projekt si mjaft pozitiv, ndërsa theksoi se do të merren të gjitha masat për harmonizimin e hapave që duhen ndërmarrë për konkretizimin e kësaj rruge. Ai theksoi se ligji i partneritetit do të amendohet, me qëllim që t`u jepet mundësi kompanive private të ndërhyjnë në konkretizimin e projekteve, të cilat shteti nuk ka mundësi t`i përballojë. Në këtë kontekst Kryeministri tha se në rast se kompania brenda një kohe të caktuar nuk siguron dot financimin do të ruhet autorësia e idesë apo projektit, por shtoi se as qeveria dhe as kompania nuk mund të kushtëzojnë me një kohë të pacaktuar projektin. Ai theksoi se ky do të jetë një nga amendimet kryesore që do t`i bëhen ligjit të partneritetit.
Në mbledhjen e sotme KRRTRSH shqyrtoi gjithashtu lejen e ndërtimit për TEC-in e Vlorës dhe sheshin dhe lejen e ndërtimit për depozitat bregdetare të karburantit në Porto Romano për shoqërinë "Taçi Oil International Trading and Supply Company". Kryeministri theksoi se kjo leje ka të bëjë me akordimin e mundësive të kësaj kompanitë lëvizë depozitat e saj nga Shëngjini në vendndodhjen e re në përputhje me kushtet e sigurisë. Gjithashtu ai siguroi se në qytete nuk do të ketë më depozita nafte.