Miratohet vendimi për hapjen e tenderit për dhënien me koncesion të hidrocentraleve të lumit Devoll
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi për hapjen e tenderit për dhënien me koncesion të hidrocentraleve në kaskadën e lumit Devoll.
Duke vlerësuar projektin e paraqitur nga kompania e njohur austriake EVN për kaskadën e Devollit, Kryeministri theksoi se kjo kompani ka hartuar një projekt për ndërtimin e një serie hidrocentralesh në tërë gjatësinë e lumit Devoll. Në projektet e këtyre hidrocentraleve parashikohen të ndërtohen tunele, me një gjatësi të marrë së bashku rreth 50 kilometra. Investimi për këtë projekt shkon rreth 1 miliardë euro.
Projekti garanton një shfrytëzim maksimal të potencialit ujor të këtij lumi, një respektim maksimal të luginës në të cilin ai rrjedh. Grupi i oponencës, i ngritur pranë ministrisë së Ekonomisë, ka shqyrtuar për muaj të tërë projektin e kompanisë për lumin Devoll dhe e vlerëson atë një projekt unik në llojin e tij.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha tha se edhe kompani të tjera të mëdha botërore, po tregojnë një interes të madh në rritje për burime të tjera ujore të vendit. Veçanërisht Vjosa është më shumë në vëmendjen e tyre. Kryeministri shprehu besimin se gjatë muajve ne vijim do te hapet tenderi edhe për këtë projekt.