E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investimet kane ndryshuar imazhin e Lezhes

Në bazë të një plani strategjik për zhvillimin ekonomik, Bashkia e Lezhës ka mundur që të ndërhyjë me investime për të ndryshuar imazhin e krejt qytetit. Infrastruktura ka qenë fokusi kryesor, si një faktor i prekshëm për të gjithë qytetarët, ku janë kryer ndërhyrje në të gjitha lagjet e qytetit, në rrugët kryesore si dhe kanalizimin e ujërave të bardha e të zeza.
Vrulli u ndryshimit të Lezhës ka bindur jo vetëm qeverinë shqiptare për të mbështetur këtë njësi vendore por edhe donatorë të ndryshëm. Kjo ka bërë që vetëm për sistemin e ujësjellësit qeveria zviceriane t’i japë Lezhës 10 milionë euro donacione, ndërsa 3 milionë euro të tjera janë akorduar nga banka gjermane KFV.
Arsimi ka patur një vëmendje të rëndësishme, kjo për ta kthyer Lezhën në një qytet universitar. Me këtë objektiv Banka Botërore ka mundësuar ndërtimin e një gjimnazi dhe një shlollë të re 9 vjeçare, ndërsa janë rikonstruktuar thuajse të gjitha shkollat e tjera të këtij qyteti.
I referuar drejt turizmit, ambjenti mbetet një synim i Bashkisë Lezhë, e cila nëpërmjet një projekti pilot edhe në Ballkan ka nisur diferencimin e mbetjeve. Tushaj ka bërë të ditur se vetëm duke qenë miqësor me ambjentin mund të zhvillojnë turizmin dhe t’u japim vlerë investimeve në këtë sektor siç është rruga e kalasë.
Megjithëse gjatë 3 viteve të fundit Lezha është kthyer në një kantier ndërtimi, sipas kryebashkiakut Tusha ka shumë për t’u bërë, por perspektiva sipas tij është krijuar.
13 milionë euro janë investimet 4 vjeçare në Bashkine e Lezhës, të cilat kanë prekur të gjithë sektorët e këtij qyteti. Këto ndërhyrje janë 4 herë më të larta se ato të realizuara gjatë 8 viteve të qeverisjes nga e majta, duke e bërë këtë qytet me të dëshirueshëm, jo vetëm nga banorët e tij, por dhe nga turistët dhe vizitorët, të cilët janë të shumtë në Lezhë.
Investimet prej 13 milionë euro katër vitet e fundit duke përfshirë të gjithë sektorët e qytetit të Lezhës e kanë ndryshuar totalisht imazhin e saj. Ndërhyrjet në infrastrukturën e rrugëve, në kanalizimin e ujërave , në ujësjellës, ndërtimi dhe rikonstruksioni i shkollave, vëmendja ndaj ambientit dhe pikave turistike e kanë kthyer Lezhën në një qytet të dëshirueshëm, jo vetëm për banorët e saj por edhe për turistët e shumtë që e vizitojnë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›