E Diel, 1 Nëntor 2026

Investimet kapitale, Rruga Durrës-Kukës përlan sërish pjesën e luanit



Gati gjysma e buxhetit për investimet kapitale edhe këtë herë do të shkojë për rrugën që lidh Shqipërinë me Veriun e vendit dhe më tej me Kosovën. Gjatë periudhës janar-nëntor 2008 janë shpenzuar për rrugën rreth 35 miliardë lekë nga 70 miliardë të investuara gjithsej për projekte të ndryshme, jo vetëm rrugore. Edhe për vitin 2009, rëndësia për këtë rrugë super të kushtueshme do të jetë e njëjtë. Fondi për përfundimin e rreth 60 kilometrave (ku përfshihen 6 kilometra tunel) do të jetë rreth 30 miliardë lekë, burimi i të cilit mund të sigurohet nga bankat tregtare. Deri tani, vetëm Rruga Rrëshen-Kalimash i ka kushtuar buxhetit të shtetit rreth 650 milionë euro ose rreth 700 milionë dollarë, ndërsa parashikohet një vlerë totale prej rreth 1 miliard dollarësh. Aktualisht, në frontin e punës po përparohet dukshëm vetëm në pjesën Rrëshen-Kalimash, ndërsa në akset e tjera nuk ka nisur ende puna konkrete. Milot-Rrëshen, e financuar nga Banka Botërore, dhe Kalimash-Rexhepaj nga Banka Islamike, nuk kanë marrë ende formën e plotë të punimeve, edhe pse marrëveshjet për financimin e dy projekteve janë firmosur me kohë nga pala shqiptare.

Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit, miratohet projektligji

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave miratoi dje projektligjin "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit". Sipas projektligjit, kompanitë e sigurimeve marrin përsipër të shlyejnë të gjithë detyrimin në rast aksidentesh që sjellin pasoja për jetë njerëzish. Nga ana tjetër, sigurimi i individëve do të jetë i detyrueshëm me ligj. Vlera e dëmshpërblimit shkon deri në 2 milionë lekë për rastet ekstreme, ndërsa në projektligj janë përcaktuar qartë mënyrat e funksionimit të rregullave të sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit. Sigurimi i detyrueshëm në sektorin e transportit përfshin pasagjerët nga aksidentet në transportin publik dhe sigurimin e përgjegjësisë së pronarit, ose të përdoruesit të mjetit motorik, që më poshtë do të referohet si sigurimi i pronarit për dëmet shkaktuar palëve të treta nga përdorimi i këtij mjeti. Pronari i çdo mjeti transporti është i detyruar të lidhë një kontratë sigurimi, si dhe të sigurojë rinovimin e saj për aq kohë sa mjeti mbetet në qarkullim, madje kjo kushtëzohet edhe si dhënie licence. Detyrimi i një shoqërie sigurimi në kontratën e sigurimit, e parashikuar në Pikën 1 të Nenit 17 të këtij ligji, përfaqësohet nga shuma e siguruar, e vlefshme në ditën e ngjarjes së sigurimit, kur nuk është rënë dakord për një shumë më të madhe në kontratën e sigurimit. Minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, sipas nenit 17 të këtij ligji, është: në rast vdekjeje 2 milionë lekë dhe në rast të paaftësisë së përhershme 4 milionë lekë.

10 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›