Investimet me Turqinë, Topalli takon Erdogan
Ankaraja zyrtare bëri të ditur se synon rritjen e këmbimit tregtar me Shqipërisë mbi shifrën e 1 miliard dollarëve. Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka zhvilluar dje në zyrën e tij një takim me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli. Në takim është folur për rritjen e marrëdhënieve politike, por edhe ekonomike mes dy vendeve, të cilat konsiderohen të nivelit të lartë. Siç njofton zyra e shtypit e Kuvendit, duke i uruar mirëseardhjen dhe e falënderuar për praninë e saj në samitin botëror “Të drejtat e Grave lidhin Lindjen me Perëndimin”, Kryeministri Erdogan theksoi se Turqia dhe qeveria e tij po i kushtojnë gjithnjë e më tepër vëmendje, çështjes së promovimit të të drejtave të grave. “Turqia dhe Shqipëria mbeten jo vetëm vende të lidhura nga tradita historike e miqësisë dhe bashkëpunimit, por gjithnjë e më shumë ato po kthehen në dy partnerë strategjikë dhe faktorë të rëndësishëm të stabilitetit dhe sigurisë në rajon. Në katër vitet e fundit marrëdhëniet midis dy vendeve janë intensifikuar dhe në nivelet më të larta. Shqipëria është vendi që kam vizituar më shpesh”, tha ai. Në bisedë u shpreh kënaqësia për rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar me tregues dinamikë dhe u shpreh vullneti për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit në të gjitha fushat, me interes reciprok. Gjatë bisedës u theksua se biznesi turk vlerëson lehtësimet dhe klimën e favorshme që është krijuar në Shqipëri për investitorët e huaj. Të dy bashkëbiseduesit u shprehën se synimi dhe ambicia për të kapërcyer vlerën e 1 miliard dollarëve, të shkëmbimeve tregtare nëpërmjet dy vendeve.
#