E Diel, 1 Nëntor 2026

“Investimet në shëndetësi e arsim do të çlirohen nga një sërë taksash”

10/06/2009  Berisha u kujton biznesmenëve reformat dhe premton lehtësi për investime

Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar gjatë një takimi me biznesmenët se gjatë katër vjetve të fundit është arritur transformuar klimën e biznesit dhe është mundur që Shqipëria të shndërrohet në vendin me barrën fiskale më të ulët në Europë. Kreu i qeverisë gjatë këtij takimi e ka vënë theksin në investimet e mëdha në sektorë të rëndësishëm e jetikë. Sipas tij, janë në investim e sipër apo do të investohen 15 miliardë euro, por Shqipëria ka nevojë për 50 miliardë euro. Ai përmendi si tepër të rëndësishme investimet në sistemit shëndetësor dhe atë arsimor në vend. Shefi i ekzekutivit theksoi se qeveria do të bëjë gjithçka është në fuqitë e saj që të krijojë lehtësi në investimet që do të kryhen në këto fusha. “Investimet në shëndetësi, investimet në arsim do të jenë të çliruara nga një sërë taksash”, - deklaroi ai. Po ashtu Berisha theksoi se do të bëhet çdo përpjekje për partneritetin publik privat, që gjer tani në fushën e investimeve kryeson me epërsi të jashtëzakonshme në fushën e energjisë, në fushën e turizmit deri diku, por që ende nuk ka marrë shpejtësinë e plotë në fusha të tjera. “Qeveria do të studiojë, duhet të hapet ndaj jush për këtë partneritet në të gjitha fushat e veprimtarisë ekonomike”, - tha Berisha. Sipas tij, Shqipëria ka nevoja të pafundme dhe qeveria nuk ka asnjë instrument tjetër më të fuqishëm përveç lirisë. Ai u premtoi biznesmenëve se vitet që vijnë do të jenë vitet e përqendrimit të qeverisë së tij “në zgjerimin dhe konsolidimin e lirisë së garës suaj, konkurrencës suaj”. Ai tha se praktikat “një euro”, të cilat nga disa u vlerësuan me skepticizëm në fillim, janë operative çdo ditë. Duke folur mbi reformat që do të vijojnë, Kryeministri tha se do të ketë lëvizje preferenciale të sistemit fiskal. “Katër vjetët që shkuan ne nuk bëmë lëvizje preferenciale, selektive. Dhe bëmë mirë, sepse i ulëm ato për të gjithë. Tani disa sektorë e kanë më të domosdoshëm”, - deklaroi Berisha. Duke folur për klimën e biznesit në vend, kreu i qeverisë tha se gjatë katër vjetve të fundit u instaluan në vend “one stop shop” për regjistrimin e biznesit, duke reduktuar kohën e regjistrimit të bizneseve dhe procedurat burokratike. Po ashtu Berisha tha se gjatë këtij viti u arrit që vendit të bëhej i vetmi në botë me prokurime 100% elektronike, duke bërë kështu rritjen e pjesëmarrjes ne garë. Gjatë këtij takimi Berisha kujtoi se nga qeveria janë marrë vendime të rëndësishme në drejtim të heqjes së licencave dhe lejeve, i cili ka qenë një proces shumë i mundimshëm.

Gjykata administrative

Kryeministri Berisha pohoi se Gjykata Administrative është jetike për biznesmenët. “Në raportin burokrat–biznesmen unë qëndroj në anën e biznesmenit. Unë jam i vetëdijshëm në çdo rast mbi arbitraritetet që ju imponohen nga burokratët. Por kjo nuk mjafton, duhet Gjykata, duhen gjykatësit që t’i vënë kufirin te thana qeverisë dhe burokratit. Ne bëmë ligjin më të mirë të mundshëm dhe ai do të kalojë”, - tha ai.

Taksa e sheshtë

Gjatë takimit kreu i qeverisë, duke folur për uljen e taksave, kujtoi vendimin e marrë nga qeveria për vendosjen e taksës së sheshtë. “Për taksën e sheshtë ka një studim jashtëzakonisht të rëndësishëm të “Oksfordit”, të publikuar vjet. “Oksfordi” fakton se përfituesit kryesor nga taksa e sheshtë janë direkt punëtorët, se për çdo dollarë të ulur të kësaj takse 0.54 dollarë i kalojnë punëtorit ose pagë, ose shërbim, investim etj.”, - tha ai.

Kriza ekonomike

Duke iu referuar krizës financiare, Berisha tha se si pasojë e saj në botë është krijuar njëfarë konfuzioni. “Disa i rritin taksat, disa i ulin, por ne do të vazhdojmë me uljen e tyre. Unë ju garantoj se ne do të vazhdojmë me uljen e tyre. Ky është zotimi im. Për sa kohë ju të votoni këtë forcë politike, kjo forcë politike do të mbetet forcë e qëllimit të taksave më të ulëta në Europë, forcë e qëllimit barra burokratike më e lehtë në Europë”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›