Investimet publike, mungojnë 10 miliardë lekë
Zbulohet “sekreti” i rialokimeve të fundvitit në buxhet. Rialokimi, jo nga mirëmenaxhimi, por gati krejtësisht nga fonde që qeveria s'ka qenë në gjendje t’i shpenzojë për destinacionin fillestar.
TIRANE- Investimet me fonde buxhetore nuk realizohen për afro 10 miliardë lekë (saktësisht 9,68 miliardë). Kjo del sipas shifrave zyrtare të Ministrisë së Financave për realizimin e detyrave të buxhetit gjatë 11 muajve, nga janari deri në fund të nëntorit të këtij viti. Ndërkohë që, në mbledhjen e parafundit të Këshillit të Ministrave u vendos të rialokohen 12 miliardë lekë fonde për shpërblime, etj, duket qartë se këto nuk kanë dalë, siç pretendoi Kryeministri Berisha, nga mirëmenaxhimi i fondeve publike, as nga rezervat qeveritare, por gati krejtësisht nga fonde që qeveria nuk ka qenë në gjendje t’i shpenzojë për destinacionin fillestar.
Në të ardhurat totale mungojnë po kështu, 9,75 miliardë lekë të reja dhe vetëm në zërat buxhetorë të TVSH-së dhe tatimfitimit rezultojnë realizime. Ndërkohë, është krijuar deficit, për herë të parë gjatë vitit, me vjeljen e tatimit mbi të ardhurat personale. Nga mosrealizimi i vjeljes së akcizës mungojnë në buxhet 3,8 miliardë lekë, ndihmat (grantet) realizohen vetëm 41 për qind, ndërkohë që për rrugën Durrës-Kukës janë shpenzuar 28,2 miliardë lekë financime të huaja (borxhe) dhe afro 6,5 miliardë lekë financime me fonde të brendshme. Kështu, vetëm gjatë 11 muajve të këtij viti, rruga ka “gëlltitur” afro 282 milionë euro fonde.
Ndërkohë, nuk ka asnjë lek të hedhur për kompensimin e ish-të përndjekurve, të ish-pronarëve apo kompensim për energjinë elektrike, ndërkohë që plani për këta muaj për këto zëra bashkë, ishte fiks 2 miliardë lekë. Në të njëjtën kohë, arkës së shtetit i është krijuar një “gropë e zezë” nga huaja dhënë KESH-it për të blerë energji elektrike nga jashtë, po në masën 2 miliardë lekë të reja, që sikurse u tha në mbledhjen e mëparshme të qeverisë, do t’u shtohen fondeve të tjera, që nuk do të jenë më hua, por subvencione.
Në sasinë e fondeve të krijuara nga privatizimi mungojnë 1,87 miliardë lekë, dhe deri tani është realizuar vetëm një e katërta e planifikimit vjetor, ndonëse vetëm pak ditë kanë mbetur nga përfundimi i vitit fiskal. Ndërkohë, 3,2 miliardë lekë është deficiti buxhetor i krijuar nga të ardhurat e pushtetit vendor, që arrin të realizojë deri tani objektivat e planifikuara vetëm në masën 66% krahasuar me vjetorin.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)