E Shtunë, 31 Tetor 2026

Part-time, Universiteti i Tiranës do 800 kuota shtesë

Nga Esmeralda Keta
Universiteti i Tiranës përjashton ata që po ndjekin shkollën e lartë në sistemin e ditës. 3 fakultete të universitetit të Tiranës kanë kërkuar 800 kuota shtesë. 

TIRANE-Fluksi i madh i kërkesave për sistemin part-time ka bërë që disa nga fakultetet më të preferuara të Univesritetit të Tiranës të kërkojnë shtim kuotash. Dhe jo pak, po bëhet fjalë për plot 800 të tilla, të cilat do të ndahen midis Drejtësisë, Ekonomikut dhe Filologjikut. Ndërkohë që kanë nisur regjistrimet e fituesve, rektorati i universitetit të Tiranës ka nxjerrë një udhëzim, i cili ka djegur me dhjetra kandidatë, që nuk kishin dëftesë origjinale të shkollës së mesme, por vetëm dublikatin e saj, pavarësisht se MASH e përcakton këtë dokument si të vlefshëm për t'u regjistruar.
Kuota shtesë
Fakulteti i Drejtësisë ka kërkuar edhe 400 kuota të tjera shtesë, ndërkohë që ka shpallur edhe 200 fituesit që i ishin akorduar. Ndërkohë që kërkesë për shtesë kuotash ka bërë edhe fakulteti i Ekonomisë, i cili ka kërkuar edhe 100 vende të reja, dhe po aq ka kërkuar edhe fakulteti i Histori-Filologjisë, me nga 100 kuota shtesë për të tre degët ku aplikon part-time: Letërsi, Histori dhe Gjeografi. Kërkesat nga fakultetet janë bërë për shkakun se lista e atyre që kanë aplikuar për t'u futur në këtë sistem ka qenë shumë e gjatë. Madje si asnjëherë tjetër, kuotat e miratuara nga qeveria u tejkaluan brenda dy ditëve të para të regjistrimeve. Në total, për sistemin part-time, qeveria akordoi 3045 vende, 1300 prej të cilave ishin në universitetin e Tiranës. Ky fluks i madh kërkesash ka të bëjë me pezullimin e këtij lloji studimesh për një vit, pasi vitin e kaluar nuk ishte planifikuar sistemi part-time për në shkollat e larta. Ndërkohë që në këtë sistem studimesh ka pasur edhe dyndje kërkesash edhe nga ata kandidate, të cilët nuk arritën të futen në garë për të nisur një shkollë të lartë me kohë të plotë, pasi ngelën në provimet e Maturës. Pasi i kanë dhënë këto provime në sezonin e dytë, ata kanë provuar aftësitë e tyre në sistemin part-time.
I djeg rektorati
Ndërkohë që kanë nisur regjistrimet e kandidatëve fitues, një pjesë e mirë e tyre, megjithëse e kanë parë emrin sipër vijës së kuqe, nuk kanë mundur të regjistrohen. Kjo pasi rektorati i Universitetit të Tiranës ka nxjerrë një udhëzim, me anë të të cilit detajon se nuk do të pranohen të regjistrohen ata kandidatë që nuk paraqesin dëftesë origjinale të shkollës së mesme, por dublikatin e saj. Një urdhër ky që në fakt bie në kundërshtim me atë të nxjerrë nga Ministria e Arsimit dhe Shknecës, e cila sqaron se të gjithë kandidatët fitues mund të regjistrohen me dëftesën origjinale të shkollës së mesme ose dublikatin e saj. Burime pranë rektoratit të universitetit të Tiranës sqarojnë se ky vendim është marrë për të evituar nga kjo garë ata kandidatë që janë aktualisht në një shkollë të lartë. "Ka një pjesë të madhe, të cilët janë aktualisht në një shkollë të lartë me kohë të plotë dhe kanë aplikuar edhe për part-time. Ne këtë nuk do ta lejojmë dhe do të krijojmë kushtet që edhe të tjerët të mund të nisin një shkollë të lartë, pasi ata e kanë tashmë një diplomë dhe kështu u hyjnë në hise të tjerëve", - kanë sqaruar ata. Por ky vendim ka djegur edhe mjaft kandidatë të tjerë, të cilët për një arsye apo për një tjetër e kanë humbur dëftesën e shkollës së mesme dhe tashmë kanë në dorë vetëm dublikatin e saj.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›