Pensionet,koeficientët e pagave për vitet ‘94-’07
TIRANE- Sipas një vendimi të marrë dje nga Këshilli i Ministrave, ka ndryshuar sërish përcaktimi i koeficientit të indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor individual, që ka vlerë për llogaritjen fillestare të pensioneve të pleqërisë të qytetarëve shqiptarë. Ky vendim ka të bëjë me vlerësimin e ndryshuar në vite në llogaritjen e pagës për efekt pensioni të punonjësve që kanë kontribuar në sigurimet shoqërore. Sipas këtij vlerësimi të ri, pensionet që janë lidhur duke filluar nga dita e parë e këtij viti në vazhdim nuk pësojnë ndryshim, ndërkohë që, sa më shumë shkohet poshtë në vite, aq më shumë rritet koeficienti i përllogaritjes.
Një veprim i tillë mban parasysh faktin se pagat gjatë viteve kanë pësuar rritje dhe pagat e mëparshme, në kushtet e një sistemi tjetër ekonomiko-shoqëror, do të përcaktonin pensione shumë herë më të vogla dhe do të favorizoheshin pensionistët, që vitet e kontributeve i kanë vetëm gjatë periudhës së ekonomisë së tregut, pra pas vitit 1991. Një defekt i tillë kërcënon me pasoja sociale, të cilat rregullohen me një vendim të tillë.
Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, e që janë vetëm për pensionet e caktuara me datë fillimi nga 1.1.2008, do të përballohen nga buxheti i vitit 2008, miratuar për Institutin e Sigurimeve Shoqërore, përcakton Vendimi i Këshillit të Ministrave.
Njëkohësisht, me këtë vendim disponohet që vendimi nr. 731, datë 7 nëntor 2007 i Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e koeficientëve të indeksimit të bazës së vlerësimit vjetor, individual, për llogaritjen fillestare të pensioneve”, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ndërkohë që i shtrin efektet e tij financiare në mënyrë prapavepruese.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)