Shqiptarët e Ligës së Kampioneve
Dëmtohet Beqaj, 15 ditë jashtë fushe
Ndeshja ndaj Interit e ka lënë me pasoja portierin e kombëtares shqiptare Arjan Beqaj. Sipas mediave qipriote, portieri i Anorthosis ka dëmtuar gjurin. Stafi mjekësor i klubit ka bërë të ditur se Beqajt i duhet të qëndrojë 15 ditë jashtë fushave. Nuk dihet nëse portieri kuqezi do të jetë pjesë e kombëtares në miqësoren me Azerbajxhanin. Ndërkohë, pas barazimit me Interin, e përditshmja italiane "Gazzetta Dello Sport", për portierin kuqezi ka thënë: "Nuk të bindte te tre golat e pësuar, gjithashtu edhe në disa pritje gjatë lojës. Por fitoi pikë pas pritjeve shpëtimtare ndaj Ibrahimoviçit dhe Kambiasos." Ai u vlerësua me notën 6.
Cana, poshtë nivelit për mediat franceze
Pavarësisht fitores 3-0 me PSV-në, mediat franceze kanë folur me tone kritike ndaj lojës së kapitenit të Marsejës, Lorik Cana. Sipas "football.fr", nga Cana pritet shumë dhe në ndeshjen ndaj ekipit holandez ai bëri pak nga ato që ka shfaqur në përballjet e kaluara. Mesfushori i kombëtares u vlerësua me notën e ulët 5. "Kreu shumë pak ndërhyrje në zonën e tij gjatë pjesës së parë, madje mbrojtësi Bonart është detyruar ta mbështesë dy herë në këtë periodë. Paraqitja e tij ka qenë poshtë nivelit që jemi mësuar të shohim,"- shkruhej në vlerësimin për Lorik Canës.