E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maradona: Këtu komandoj vetëm unë!

Argjentina prezanton Diegon, që nënvlerëson zëvendësit: Një ëndërr, por dua njerëz që të ndjekin urdhrat!

Mirë se erdhët në erën "Maradona": entuziazëm, ambicie, por, para së gjithash rrëmujë. Shumë rrëmujë! Njëri nga stolat më të nxehtë të planetit është në duart e një prej sportistëve më pak diplomatë dhe të parashikueshëm të botës. Prej dy ditësh, të paktën zyrtarisht, Argjentina ka një trajner të ri kombëtareje. Që prej dy ditësh, Diego, "El Diez", ka sërish një rol kyç, është aktiv në futbollin e vendit të tij. Maradona komisar teknik, Karlos Bilardo drejtor sportiv: siguritë mbarojnë këtu, sepse e gjithë pjesa tjetër e skuadrës është në diskutim.

LUFTA E ZËVENDËSAVE - Dukej e sigurt që Serxhio Batista dhe Hoze Luis Barun (dyshja e artë olimpike dhe që drejton skuadrën U-20), do të ishin bashkëpunëtorët, njerëzit në fushë, por, në prag të emërimit "El Pibe" bëri goditjen e parë në skenë. Duke i mënjanuar në një intervistë radiofonike të dy ("Mund të qëndrojnë për të drejtuar të rinjtë"), Diego caktoi si zëvendës të tij Oskar Ruxherin dhe Alehaandro Mankuson. I pari "El Cabezon", një tjetër hero i botërorit të fituar, vitet e fundit ka qenë protagonist i debateve verbale të ashpra me Maradonën ("Por, për të mirën e kombëtares jam gati të bëj paqe edhe me Guiliermo Kopolën"), ndërsa i dyti është mik i ngushtë mes ish-lojtarëve; me të ka promovuar "Showbol"-in, një farë minifutbolli që është i famshëm në Amerikën e Jugut. Diego nuk ka vlerësuar disa deklarata të Batistës, që ndoshta donte më shumë hapësirë dhe fuqi vendimarrje. Ky ndryshim i shpejtë nuk i pëlqeu presidentit të Federatës Argjentinase të Futbollit, Hulio Grondona, që besonte se gjithçka ishte në rregull. Rezultati i sfidës së parë? Gjatë prezantimit, Batista dhe Barun nuk ishin siç ishte njoftuar më parë. Dhe Maradona shpjegoi: "Po punojmë akoma me stafin dhe dua që nga bashkëpunëtorët e mi të ketë ndershmëri absolute, si dhe që t'i pranojnë udhrat e numri 1, që jam unë". E qartë? Mjafton të dëgjohet ç'thotë "bosi"...

PUNË DHE UDHËTIME - "Do të jap gjithçka nga vetja ime; e di që duhet të punoj shumë. Për mua është nder, një ëndërr që u realizua." Kështu foli Diego, me një veshje të errët dhe kravatë sportive, pas njoftimit zyrtar, që Grondona e cilësoi një "moment historik për futbollin argjentinas". Dalja e parë zyrtare nuk është e tepruar: ndonjë batutë, asnjë sulm direkt, shumë dashuri ndaj fanellës: "Duke hyrë këtu, ndjeva shumë emocione, njëlloj sikur zbrisja në fushë". Nga ana sportive, është fillimi i një jete të dytë. Fillohet me një udhëtim në Europë: gjatë natës Maradona dhe Bilardo u nisën drejt Madridit, ku mbrëmë panë ndeshjen e Championsit Real-Juve. Është faza e një turi europian, që do të prekë edhe Italinë: "Duam të flasim me sa më shumë lojtarë që kemi mundësi, për të parë ç'mendojnë, si dhe për t'ju treguar qëllimet tona. Kemi cilësi, në fushë nuk do t'u kërkoj lojtarëve asgjë nga ato që dinë të bëjnë më mirë, jashtë dua disiplinë, por nuk do të bëj policin".

KAPITENI - Në listën e të grumbulluarve është Havier Zaneti që, gjithsesi nuk do të jetë më kapiten. "Dua Havier Maskeranon me shiritin e kapitenit, ai është i zgjuar, sakrifikon dhe ka cilësi morale që kërkoj te një kapiten." Maradona është gjithnjë tifoz i mesfushorit ë Liverpulit. Kur ishte thjesht një vëzhgues i jashtëm tha se kombëtarja duhej të ishte "Maskerano plus dhjetë të tjerë". Ditët e shkuara 24-vjeçari e pranoi se kishte refuzuar shiritin: "I shpjegova që nuk kam shumë personalitet jashtë fushe," - i paska thënë Maskerano, Maradonës. Ky i fundit nuk u ndje, por e ka vendosur. Përshtypja është që me Diegon në komandë ka pak vend për të biseduar, por shumë për t'u zbavitur.

Ja lista e plotë e lojtarëve të thirrur nga Maradona për ndeshjen Skoci-Argjentinë:

Portierë: Huan Pablo Karrico (Lacio), Serxhio Romero (AZ Alkmaar)

Mbrojtës: Nikolas Burdiso (Inter), Fabrisio Koloçini (Njukasëll), Martin Demikelis (Bajern Mynih), Daniel Diaz (Getafe), Gabriel Hajnxe (Real Madrid), Havier Zaneti (Inter)

Mesfushorë: Angel Di Maria (Benfika), Fernando Gago (Real Madrid), Luis Gonzales (Porto), Jonas Gutierrez (Njukasëll), Havier Maskerano (Liverpul), Maksimiliano Rodriguez (Atletiko Madrid), Hose Soza (Bajern Mynih)

Sulmues: Serxhio Aguero (Atletiko Madrid), Xherman Denis (Napoli), Lisandro Lopez (Porto), Exekuiel Laveci (Napoli), Karlos Tevez (Mançester Junajted).

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›