Miqësorja me Azerbajxhanin, pa emra të rinj
Më shumë firo, sesa prurje, mësohet se është lista e lojtarëve që do të grumbullohen për miqësoren e 19 nëntorit me Azerbajxhanin. Kur pritej që të kishte ndonjë emër të ri, duket se trajneri Ari Han u ka qëndruar stoik të besuarve të tij. Burime jozyrtare pranë FSHF-së bëjnë të ditur për "Sportin shqiptar" se jashtë listës për këtë miqësore kanë mbetur mbrojtësi Andi Lila, mesfushori Jahmir Hyka dhe sulmuesi Edmond Kapllani. Këta të fundit kanë qenë pjesë e padiskutueshme e kombëtares, por nuk dihen arsyet e zgjedhjes së holandezit. Edhe pse kjo pritet të konfirmohen zyrtarisht sot nga trajneri Han, mësohet se ky i fundit ka menduar që këtë herë të grumbullojë më pak lojtarë. Bëhet fjalë për 18 kuqezinj, që do të udhëtojnë drejt Bakut më 16 nëntor. Emrat më të përfolur gjatë kësaj periudhe, ai i mesfushorit shkodran të Haxhetepes, Gilman Lika, gjithashtu mbrojtësit kosovar që luan në Bundesligë me Bohumin, Mërgim Mavraj, mbetën në kuadrin e fjalëve. I pari është grumbulluar nga trajneri Han për miqësoren me Poloninë, ndërsa Mavraj, i pajisur me pasaportë shqiptare, ende nuk ka zhvilluar një ndeshje me përfaqësuesen kuqezi. Ky i fundit nuk iu përgjigj ftesës së FSHF-së për miqësoren e majit me Poloninë, por tani ka shprehur gatishmërinë për të qenë pjesë e Shqipërisë. Gjithsesi, vetë trajneri holandez i kuqezinjve u shpreh qartë për miqësoren me Azerbajxhanin. "Kombëtarja është kombëtare, pra duhet të fitosh ndeshje, që më pas të fitosh edhe respektin në botë. Nuk mendoj se duhen bërë ndryshime. Megjithatë, janë disa lojtarë të rinj për t'u parë, sidomos ata që kanë qenë në grumbullimet e fundit,"- ka thënë trajneri i kombëtares. Në drejtimin e tij, kjo është miqësorja e tretë, pas asaj me Poloninë dhe Lihtenshteinin. Më parë, Shqipëria ka zhvilluar tri miqësore me Azerbajxhanin, teksa ka po kaq fitore. E para daton më 8 gusht të vitit 2000, kur kuqezinjtë fituan me golin e Edvin Muratit, ndërsa në 27 mars të 2003-shit, përsëri 1-0, ku këtë herë shënoi Igli Tare. Ndeshja e fundit është luajtur në "Qemal Stafa", më 17 gusht të vitit 2005, dhe përfundoi 2-1, me gola të Alban Bushit dhe Lorik Canës. FSHF-ja pranoi të luante jashtë, pasi kishte një farë "borxhi" ndaj homologëve azerbajxhanas, duke pasur parasysh se miqësorja e fundit është zhvilluar në Shqipëri. Në kuadër të ndeshjes eliminatore me Maltën, që është më 11 shkurt të vitit tjetër, vetë trajneri Han mbeti i kënaqur që do të provojë ekipin ndaj një kundërshtari të tillë. Në lidhje me këtë, ai ka thënë: "Eshtë një ndeshje e mirë për të përgatitur eliminatoren me Maltën. Për mua është e nevojshme të shikoj se si do të reagojnë futbollistët me një ekip si Azerbajxhani."
Lojtarët e mundshëm për Azerbajxhanin
Portierë
Arjan Beqaj (Anorthosis)
Isli Hidi (Alqi)
Mbrojtës
Armend Dallku (Vorskla)
Debatik Curri (Vorskla)
Kristi Vangjeli (Aris)
Elvin Beqiri (Vllaznia)
Admir Teli (Haxhetepe)
Endri Vrapi (Elbasani)
Mesfushorë
Lorik Cana (Marsejë)
Altin Lala (Hanover)
Ervin Skela (Kotbus)
Klodian Duro (Omonia)
Ervin Bulku (Krivbas)
Ansi Agolli (Tirana)
Elis Bakaj (Partizani)
Sulmues
Erion Bogdani (Kievo)
Hamdi Salihi (Ried)
Besart Berisha (Rozenborg)