Investimi, këtë vit nis ndërtimi i hidrocentralit të “Ashtës”
Këtë vit pritet të nisë ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës. Gjatë një takimi të zhvilluar pak ditë më parë në Vjenë, drejtuesi i kompanisë Verbund, Christian Kern u shpreh se kompania që ai drejton do të vazhdojë të investojë në Shqipëri. Një nismë e tillë është përkrahur edhe nga vetë Ministri i Energjetikës, Genc Ruli, sipas të cilit ndërtimi i hidrocentralit të Ashtës është projekt shumë i rëndësishëm. Në fjalën e tij, Ruli theksoi edhe njëherë se ekonomia shqiptare nuk është prekur nga kriza globale financiare. Të njëjtin mendim me të ka ndarë edhe vetë drejtuesi i kompanisë Kern, sipas të cilit Shqipëria është një rast i veçantë pasi është ndër të paktat vende ku ekonomia nuk është prekur nga kriza globale. Për sa i përket HEC-it deri në 2012, kompania e projektit “Energji Ashta” do të ndërtojë një hidrocentral në veri të Shqipërisë, në afërsi të Shkodrës, qytetit të katërt për nga madhësia në vend. Gjatë procesit, masa novatore do të merren mbi lumin Drin: teknologjia Straflo-Matrix (një turbinë e vogël në përmasën e një kabine telefonike) mundëson një përdorim veçanërisht të dobishëm të “arit të bardhë”. Në të ardhmen, 230 milion kw/orë elektricitet do të prodhohet në Ashtë. Në këtë mënyrë 100.000 familje shqiptare do të furnizohen me energji elektrike. HEC-i i Ashtës do të përcjellë elektricitet për më tepër se 100,000 shtëpi, krijojë vende të reja pune dhe do të japë një frymëmarrje pozitive për rrethin dhe vendin. Energjia është një temë e nxehtë për Shqipërinë dhe ndërtimi i këtij HEC-i do të rrisë sigurinë e furnizimit në sistemin elektro-energjetik shqiptar, do të reduktojë sasinë e importeve të energjisë nga jashtë dhe ka vetëm ndikime të moderuara mbi natyrën. Ndikimi ambientalist i projektit është thuajse i papërfillshëm, sidomos që kur HEC-et nuk prodhojnë më mbetje anësore. Në përfundim të 35 viteve periudhë koncesioni, HEC-i do t’i dorëzohet sërish Republikës Shqiptare. Hidrocentrali i Ashtës përbëhet nga dy pjesë: energjia elektrike do të gjenerohet fillimisht në Ashta I, ku rezervuari i Spatharës me digën e tij rrjedhëse dhe sistemin e vogël të vaditjes ka qenë ngritur tre dekada më parë në shërbim të industrisë bujqësore. Gjer në 560 m3 ujë për sekondë - dhe këtu çështja fillon të bëhet më e nxehtë – furnizojnë turbina jo të zakonshme, por 45 turbina Straflo- Matriks. Kompania ka menduar që energjia të prodhohet për një herë të dytë, pas një kanali shtatë kilometra të gjatë, të shtrirë ulët përkrah fshatit të vogël Ashta, zonë e komunës së Bushatit. Sërish 45 turbina Straflo-Matriks do të vendosen në përdorim, dhe ky do të jetë impianti i dytë i njohur si Ashta II.