Kriza, banka: Bie kreditimi i ekonomisë
Bie ritmi i dhënies së kredisë. Sipas të dhënave nga banka e Shqipërisë, bankat kanë dhënë më pak kredi, madje rënia më e ndjeshme ka qenë për kredinë në euro. Në janar, kredia e re në monedhën evropiane ishte vetëm 45 milionë euro, duke shënuar pikun më të ulët të dy viteve të fundit. Tkurrje ka shënuar edhe kredia në dollarë. Në janar, kredia e re në monedhën amerikane ishte 14 milionë dollarë. Ndërsa sipas BSH-së, kredia në lekë vazhdon të ketë të njëjta ritme rritjeje. Sipas të dhënave në janar, kredia e re në monedhën vendase ishte 8.67 miliardë lekë. Sipas BSH-së, rënia e kredisë ka ndodhur për disa arsye. Arsyeja e parë ka të bëjë me presionin që sjell kriza financiare, e cila i ka bërë bankat më të kujdesshme. Tashmë përpara se të japin një kredi, bankat kërkojnë garanci më shumë nga klientët për të kredituar. Por edhe vetë kërkesa e bizneseve dhe qytetarëve për kredi duket se është tkurrur nga interesat më të larta. Sipas ekspertëve të ekonomisë, gjatë këtij viti pritet që ritmet e kreditimit të ekonomisë të përgjysmohen krahasuar me një vit më parë, duke vlerësuar një ritëm rritje prej rreth 20 për qind me bazë vjetore. Ulja e nivelit të kreditimit ishte paralajmëruar edhe më parë nga ekspertët e ekonomisë dhe kjo si pasojë e krizës globale. Por për fat të mirë bankat që operojnë në tregun vendas nuk janë infektuar nga kriza e bankave. Një fakt i tillë është deklaruar nga vetë zyrtarë të lartë të Bankës së Shqipërisë, të cilët kanë garantuar se bankat që operojnë në tregun vendas nuk janë prekur nga kriza globale financiare.