Investitorët gjermanë: “Nuk ka investime pa zgjidhje të çështjes së pronave”
Ervin Koçi
“Shqipëria nuk do të ketë investimet e pritura dhe nuk do të marrë zhvillimin e duhur ekonomik pa zgjidhur më parë çështjen e pronës private”. Ky ka qenë mesazhi i qartë dhe i prerë që përfaqësuesit e qeverisë gjermane kanë dhënë si një apel për qeverinë shqiptare me rastin e konferencës ekonomike Shqipëri-Gjermani. Ky mesazh i qartë dhe i thjeshtë ka ardhur edhe si përgjigje e deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, i cili gjatë konferencës së djeshme tha se, “Shqipëria është e hapur për investimet në energji nukleare”. Por duket se politikanët, diplomatët dhe investitorët gjermanë që realisht duan të investojnë në Shqipëri dhe të zhvillojnë më tej bashkëpunimin ekonomik, gjërat i shikojnë më thjeshtë dhe me më tepër realitet. Për ta e rëndësishme mbetet pikërisht çështja e pazgjidhur ende e pronës private, e cila mban larg vendit tonë të gjithë investitorët potencial të Europës Perëndimore. Ka qenë pikërisht Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt, që në konferencën e djeshme ka folur qartë dhe shkoqur duke tërhequr vëmendjen në çështjen e pronave private, që ende janë në udhëkryq. “Investitorët janë ende të paqartë mbi situatën mbi pronësinë në Shqipëri, një çështje kjo që mbetet shumë problematike për zhvillimin e vendit”, -tha ambasadori gjerman në Shqipëri. Më tej ambasadori gjerman i akredituar në Tiranë, prezantoi fushat që janë mjaft tërheqëse për investitorët gjermanë. Energjetika, është sektori më me interes dhe ku ka ende hapësira për t’u shfrytëzuar për burimet e reja energjetike, por prapa nuk mbeten as ndërtimi, mjedisi dhe turizmi.
Investimet gjermane
Qeveria gjermane ka investuar mbi 800 milionë euro në Shqipëri, në fusha si furnizimi me energji, kanalizimet, arsimi dhe rendi në 20 vitet e fundit. Në Konferencën ekonomike Shqipëri-Gjermani e cila u organizua dje në Tiranë me rastin e 20-vjetorit të marrëdhënieve ekonomike-tregtarë dypalëshe, janë paraqitur synimet kryesore të Gjermanisë për të investuar realisht në Shqipëri. Sekretari Parlamentar i Shtetit në Ministrinë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Republikës Federale të Gjermanisë, Hartmut Schauerte, deklaroi se “konferenca ekonomike është një dëshmi e interesimit të madh të investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri, është fryt i progresit të admirueshëm të Shqipërisë, si dhe konsolidimit të kuadrit ligjor të ekonomisë shqiptare”. Duke evidentuar faktin se asistenca ekonomike gjermane është më e larta për frymë për Shqipërinë, Schauerte shtoi se, “kjo ka ardhur si rezultat i zhvillimit të dukshëm ekonomik të Shqipërisë, i zbatimit me rigorozitet të reformave, i luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe mbështetjes së qeverisë shqiptare për investimet e huaja”. Kjo, vijoi më tej Schauerte, i ka dëshmuar Gjermanisë se asistenca financiare për Shqipërinë ka qenë plotësisht e merituar. Ai theksoi se ka një interesim të madh të investitorëve gjermanë për të investuar në Shqipëri edhe në fushën e prodhimit termik dhe hidrik të energjisë, në porte, në përpunimin e mbetjeve urbane sipas standardeve të BE-së etj.
Synimet e biznesit
"Shqipëria është në rrugën e duhur për të qenë një destinacion modern për investime dhe tregti",- u shpreh Andrea Gebeken, presidente themeluese e Bashkimit gjerman për Industrinë dhe Tregtinë në Shqipëri, në konferencën ekonomike gjermano- shqiptare "Perspektivat e tregut në Shqipëri Energjia, Mjedisi, Ndërtimi". Sipas Gebeken, "ekonomia po zhvillohet shpejt dhe pengesat për zhvillimin e saj, si mungesa e furnizimit me energji elektrike dhe infrastruktura rrugore e pamjaftueshme po trajtohen me përparësi". Ndërkohë, Presidenti i Shoqërisë ekonomike gjermano-shqiptare, në Berlin, Hans-Jyrgen Myler, vlerësoi si shembuj ndërtimin dhe sipërmarrjen e Aeroportit Ndërkombëtar "Nënë Tereza" me bashkëveprimin aktiv të “HOCHTIEF AirPort Shpk”, planifikimi për ndërtimin e një centrali nga “RWE sha”, krijimin e një infrastrukture për menaxhimin e mbetjeve në Lezhë me pjesëmarrjen e grupit “Schäfer”, apo modernizimin e furnizimit me ujë në Korçë dhe Pogradec. Sipas tij, këto pika prekin nervin e ekonomisë dhe të sipërmarrjeve, duke shtuar se mbi 80 pjesëmarrës nga Gjermania dhe rreth 180 sipërmarrje nga Shqipëria po tregojnë interes të madh për Konferencën sektoriale gjermano-shqiptare 2008". Myler evidentoi se vetëm në vitet pas 2005 marrëdhëniet në tregtinë e jashtme janë rritur rreth 32 për qind. Bashkimi Gjerman i Industrisë dhe Tregtisë, themeluar në Shqipëri kohët e fundit, synon të mbështesë kontaktet bilaterale të sipërmarrjeve të interesuara në të dy vendet.
BOX//////////////////////////////
Qeveria e justifikon problemin me pronat, me parqet industriale
Mungesën e zgjidhjes së çështjes tepër delikate të pronës private, e cila mban peng zhvillimin ekonomik të vendit dhe nuk lejon ardhjen e investimeve të huaja, qeveria shqiptare e justifikon me zonat e lira ekonomike për parqe industriale. Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, e ka pranuar dje një fakt të tillë lidhur me titujt e pronësisë, duke u justifikuar se, "ne jemi të ndërgjegjshëm se ende në Shqipëri vazhdon të ekzistojë problemi i paqartësisë së titujve të pronësisë, por për të lehtësuar ngritjen e bizneseve në vend kemi miratuar ngritjen e zonave ekonomike". Sipas tij, në muajin shtator janë miratuar projektet për ngritjen e tre parqeve industriale, ndërsa janë në studim edhe disa të tjerë. Përsa i takon lehtësive për bërjen biznes në vendin tonë, ministri Ruli tha se, "në tre vitet e fundit janë vendosur garancitë bazë ligjore dhe rregullatore që gjenden edhe në vende të tjera". Konferenca gjermano-shqiptare "Perspektivat e tregut në Shqipëri: Energjetika, Mjedisi, Ndërtimi", do të vazhdojë edhe sot në Tiranë, ndërsa pritet të referojnë një numër i lartë zyrtarësh të qeverisë dhe përfaqësues të biznesit. Në të marrin pjesë një numër i madh sipërmarrësish shqiptarë dhe gjermanë.
22 Tetor 2008