KLSH-ja zbulon parregullsi dhe shkelje me mbivendosjen dhe regjistrimin e pronave
Menjëherë pas vendimeve të qeverisë për hetime dhe kontrolle në institucionet që merren me regjistrimin e pronave të paluajtshme në vend, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka nxjerrë raportin e tij me abuzimet e para të konstatuara. Në zbatim të programit të kontrollit të vitit 2008, KLSH-ja ka ushtruar kontrolle në Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Korçë, Lezhë, në komunën Buçimas në Pogradec dhe në degën e OSSH-së në Shkodër. Në përfundim të këtyre kontrolleve janë konstatuar parregullsi dhe shkelje të dispozitave ligjore, të cilat kapnin shuma të konsiderueshme parash dhe hapësira të tëra pronash me probleme në dokumentacionet e regjistrimit. Periudha e kontrollit ka përfshirë vitet 2006-2007, por për probleme të ndarjes së tokave, është shtrirë në periudha kohore të mëparshme. Kështu nga kontrollet në ZVRPP-në Lezhë, KLSH-ja ka konstatuar në zonën urbane, se në 20 raste janë regjistruar objekte të ndryshme si pallate, qendra biznesi, lokale shërbimi, banesa, etj, për interesa biznesi në pronë publike, pa kontratë qiraje për truallin, apo shitjeje, etj. Ndërsa në zonën rurale, është regjistruar një sipërfaqe prej 2621 metra katrorë tokë “pyll” në pasurinë “shtet”, 20 metra larg detit (në ranishte), ndërkohë që kthimi i pronës sipas vendimit të ish-Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Lezhë është për 40 metra larg detit. Në këto zona, është regjistruar një objekt me 3 e ½ kate+ pishinë+15 kabina jashtë sipërfaqes së sheshit të ndërtimit (kufirit të pronës së vet) në pronë publike në ranishte buzë detit. "Në 73 raste në fshatin Grykë Lumi janë hapur kartelat e pasurive të paluajtshme nga ish-Njësia e Menaxhimit të projektit, duke regjistruar gjithsej 296.500 metra katrorë tokë ‘arë’, madje për disa nga këto pasuri janë lëshuar dhe certifikata pronësie",- tha zëdhënësi i KLSH-së, sipas të cilit, këto akte të marrjes së tokës në pronësi janë plotësuar nga ish Komisioni i Fshatit, në kundërshtim me ligjin 7501 dhe VKM nr. 88 datë 1.3.1993. Në 16 raste, po sipas tij, janë regjistruar dhe janë pajisur me certifikata pronësie 152 460 metra katrorë në llojin e pasurisë ‘arë’, duke u zëvendësuar me pasurinë ‘kënetë’. Për përmirësimin e gjendjes, KLSH-ja ka rekomanduar 23 masa organizative, 5 masa disiplinore, ndërkohë që është bërë kallëzim penal për regjistruesin e ZVRPP Lezhë, përgjegjësin e Sektorit të Regjistrimit Hartografik të ZVRPP Lezhë, ish kryetarin e Bashkisë Lezhë, në cilësinë e kryetarit të KRRT-së dhe për ish-drejtorin e Urbanistikës së kësaj bashkie, në cilësinë e sekretarit të KRRT-së. KLSH-ë, në zbatim të programit të kontrollit të vitit 2008, ka ushtruar kontrolle dhe në ZVRPP-në Korçë, në përfundim të të cilave janë konstatuar parregullsi dhe shkelje të dispozitave ligjore. Sipas KLSH-së, “në ZVRPP Korçë, në Komunën Voskopojë, nga Komisioni i ndarjes së Tokës janë kryer shkelje të dispozitave ligjore në fuqi në 22 raste për sipërfaqen prej 366 710 metra katrorë, janë plotësuar dhe lëshuar Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) për familjet, që nuk kanë pasur gjendjen civile, që nuk kanë qenë banorë të ish-kooperativës Voskopojë më 1.8.1991”. Sipas KLSH-së, “në 64 raste për sipërfaqen 564 950 metra katrorë janë plotësuar dhe lëshuar AMTP në kundërshtim me ligjin nr. 7501, datë 19.7.1991, pasi rezulton se familjeve bujqësore u është dhënë tokë më tepër se norma e përcaktuar për frymë”. KLSH ka konstatuar se “në 40 raste me sipërfaqe 21 680 metra katrorë janë plotësuar dhe lëshuar AMTP për ‘sipërfaqe trualli’, të cilat nuk janë objekt i ligjit nr. 75 01, pasi nuk janë tokë bujqësore”. Ndërsa, “në 2 raste, me sipërfaqe 17 mijë metra katrorë tokë bujqësore, në kundërshtim me ligjin nr. 7501, rezulton se për të njëjtin person janë plotësuar dy AMTP të ndryshme, kur konstatohet se me AMTP e parë secili prej tyre është plotësuar me normën për frymë”. “Për konsumimin e figurës së veprës penale të 'shpërdorimit të detyrës' për 2 ish-kryetarë të Komisionit të Ndarjes së Tokës në fshatin Voskopojë, KLSH ka depozituar kallëzim penal pranë organit të Prokurorisë”, - përfundon raporti i KLSH-së.
22 Tetor 2008