E Shtunë, 31 Tetor 2026

Investitorët gjermanë: Qeveria të zgjidhë çështjen e pronësisë



Investitorët gjermanë kërkojnë tregje të reja në Shqipëri, por më parë duan siguri për zgjidhjen e çështjes së pronësisë. Ata janë ende të paqartë për situatën e pronës në vendin tonë, ndaj kërkojnë vëmendjen e qeverisë për këtë çështje. Investitorët gjermanë shprehën shqetësimin dje në Tiranë se çështja është shumë problematike, e cila mund të pengojë bizneset e tyre në Shqipëri. Në konferencën ekonomike Shqipëri-Gjermani, e cila u organizua dje në Tiranë me rastin e 20-vjetorit të marrëdhënieve ekonomike- tregtare dypalëshe, ambasadori gjerman i akredituar në Tiranë prezantoi fushat që janë mjaft tërheqëse për investitorët gjermanë. Por ai tërhoqi vëmendjen në çështjen e pronave. Ambasadori gjerman, z. Bernd Borchardt, vuri në dukje se investitorët janë ende të paqartë mbi situatën mbi pronësinë, një çështje shumë problematike në Shqipëri. Në kushte të tilla investitorët gjermanë i bëjnë apel qeverisë që të zgjidhin çështjen e pronësisë, duke theksuar se pengon biznesmenët të investojnë në Shqipëri. I ftuar në këtë konferencë ishte edhe Kryeministri Sali Berisha, i cili siguroi se përmes nismave të reja të qeverisë së tij është përmirësuar ndjeshëm klima e biznesit. Ai përmendi disa nga nismat qeveritare, si lehtësimin e barrës fiskale, ndjekjen e politikave të taksave të ulëta, “One stop shop” për regjistrimin e biznesit, prokurimet on-line, taksat on–line, krijimin e një legjislacioni lehtësues për investitorët, reduktimin e lejeve dhe licencave etj. “Këto që ne kemi arritur përbëjnë thjesht një platformë për të realizuar ambiciet tona shumë më të mëdha. Në rast se deri dje korporatat tona publike ishin të korruptuara, ne i privatizuam me sukses të plotë të gjitha ato, sistemin e rafinerive, telekomunikacionin, sistemin e shpërndarjes së energjisë, ndërkohë, do të privatizojmë sistemin e kontrollit të automjeteve dhe do të shkojmë drejt dhënies me koncesion të të gjitha shërbimeve. Kjo është një mënyrë shumë efikase për të luftuar korrupsionin. Korrupsioni ka edhe kapitullin tjetër, atë të ndëshkimit të çdo akti të tillë. Me dhjetëra e dhjetëra zyrtarë janë ndëshkuar për veprën e korrupsionit. Qeveria qëndron në një luftë të vendosur kundër këtij fenomeni”, - tha Berisha. Në konferencën ekonomike Shqipëri-Gjermani, Kryeministri bëri të ditur se Shqipëria është e hapur për investimet në energji nukleare. Sipas tij, energjetika është sektori më me interes dhe ku ka ende hapësira për t’u shfrytëzuar për burimet e reja energjetike. Në fjalën e tij Kryeministri Berisha ftoi investitorët gjermanë të investojnë në fushën e energjisë nukleare në Shqipëri. “Ambicia e madhe e qeverisë që unë kryesoj është ta shndërrojmë Shqipërinë në një superfuqi të vogël energjetike. Janë mbi 20 bilionë kilovat/orë ujëra për t’u shfrytëzuar. Vendi ka lartësinë mesatare më të madhe në Evropë mbi nivelin e detit dhe gjithashtu, ka një platformë ere mahnitëse. Ndaj, ne mbetemi të hapur për prodhimin e energjisë nukleare, si dhe për të gjitha format e tjera të energjisë. Shqipëria është një vend me male që mbajnë në gjirin e tyre depozita, nga më të mëdhatë, të kromit, nikelit, bakrit, hekurit”, - theksoi Berisha. Qeveria gjermane ka investuar mbi 800 milionë euro në Shqipëri në fusha si furnizimi me energji, kanalizimet, arsim dhe rend. Z. Hartmut Schauerte, sekretar shteti pranë Ministrisë Federale të Ekonomisë dhe Teknologjisë të Gjermanisë, inkurajoi investitorët gjermanë që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri, duke theksuar se “një vend i vogël si Shqipëria mund të ofrojë mundësi më të mira”. Sipas tij, ky është një vend ideal për njerëz, të cilëve Gjermania u duket shumë e madhe ose shumë e vogël dhe për njerëz të cilët kërkojnë tregje të reja dhe potenciale të reja. Pra, e theksoj, ia vlen të hedhim sytë nga Shqipëria”, - tha Schauerte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›