E Shtunë, 31 Tetor 2026

Senati rumun ratifikon “NATO-n” me Shqipërinë

Senati i Rumanisë ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke u bërë i gjashti vend që miraton këtë protokoll brenda një muaji. Sipas deklaratës së Kuvendit që bën të ditur këtë informacion, “ky ratifikim është shprehje e mbështetjes së vendeve të NATO-s dhe të BE-së ndaj një partneri serioz si Shqipëria, shprehje e besimit ndaj reformave dhe progresit të arritur. Ky është vlerësim jo me fjalë, por me vepra, me votë pro Shqipërisë në NATO”. Rumania ratifikon këtë protokoll pas Senatit amerikan, ku Dana Perino, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, e quajti rezultat të progresit të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, ratifikim që u votua unanimisht edhe nga parlamentet e Hungarisë, vendeve baltike dhe Polonisë. Pak ditë më parë edhe Dhoma e Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë dha votën pro anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancën e Veriut. Me anë një letre falënderimi, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, u shprehu mirënjohjen deputetëve dhe senatorëve rumunë si dhe miqve të saj, presidentit të Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Rumanisë, Bogdan Olteanu, dhe presidentit të Senatit të Rumanisë, Nicolae Vacaroiu, për impenjimin e tyre në futjen e shpejtë në axhendën parlamentare të këtij ratifikimi dhe për besimin e tyre tek Shqipëria dhe reformat e realizuara.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›