Oketa: Shqipëria, e denjë përkrah NATO-s
Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, Gazmend Oketa, bëri dje të ditur se "viti 2010 do t’i gjejë Forcat tona të Armatosura tërësisht profesioniste, me standarde të reja dhe të denja përkrah homologëve në NATO. Sipas tij, pranverën e ardhshme Shqipëria pret me optimizëm, por dhe me përkushtim maksimal, vendimin për pranimin e Shqipërisë anëtare me të drejta të plota në NATO. Këto deklarata ministri Oketa i bëri gjatë përvjetorit të 10-të të krijimit të Batalionit të Operacioneve Speciale të Forcave tona të Armatosura, (BOS), e cila përkujtua dje me një ceremoni të zhvilluar në Regjimentin Komando në Zall-Herr. Në ceremoni merrnin pjesë edhe komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, komandanti i Shtabit të NATO-s në Tiranë gjeneral brigade Vasil Dimitrov, atashe ushtarakë, përfaqësues të misioneve ushtarake si ODC, CUBIC, DAKOT etj. Ministri Oketa theksoi se “Batalioni i Operacioneve Speciale është një prej reparteve elitë të ushtrisë shqiptare dhe është renditur me dinjitet në këtë pozicion, pasi në këto vite ka pasur një transformim dhe profesionalizëm të gjithanshëm". Sipas Oketës, krijimi, zhvillimi dhe rritja e kapaciteteve operacionale të repartit tuaj, ka qenë pjesë e transformimit të plotë të Forcave tona të Armatosura. Duke vlerësuar rolin e trupave të këtij batalioni edhe në ndihmë të komunitetit, në rreshtin e parë në ndihmën e dhënë në katastrofa natyrore, në raste fatkeqësish apo edhe në operacionet më të vështira ushtarake, Oketa u shpreh se "arritjet e repartit tuaj për të reaguar me shpejtësi ndaj situatave emergjente dhe për të përballuar ngarkesat fizike e psikologjike, të terrenit malor apo fushor, të thellësive nënujore apo të motit të ashpër, janë mbresëlënëse".