E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi ngushëllon viktimat e Butrintit

Presidenti i Republikës u ka dërguar një telegram ngushëllimi familjarëve të viktimave që humbën jetën në mënyrë tragjike në liqenin e Butrintit buzëmbrëmjen e 19 tetorit 2008. Në mesazhin e tij, Presidenti Topi u shpreh familjarëve të viktimave ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e papritur të të dashurve të tyre.

“Më lejoni që të jem pranë jush në këto momente dhimbjeje të thellë për familjet tuaja”, - shkruan Presidenti i Republikës. “Uroj që të gjeni forcën e duhur për ta përballuar këtë tragjedi që na preku të gjithëve”, – thekson kreu i shtetit në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Shehu: Rama po përdor politikisht tragjedinë e Butrintit

Kryetari i grupit parlamentar të PDR-së, Tritan Shehu, akuzon të majtën se po përdor politikisht tragjedinë e Butrintit. Ai reagoi dje ndaj akuzave të opozitës së majtë, lidhur me ngjarjen tragjike në Butrint, duke theksuar se "lufta kundër trafiqeve është fusha ku qeveria ka pasur sukses të plotë. Loja me fatkeqësitë e me vdekjen është një lojë shumë cinike dhe aspak demokratike. Nëse ka fushë ku kjo qeverisje ka pasur sukses të plotë është lufta kundër trafiqeve. Deklarata e Edi Ramës më kujtoi një tjetër vdekje, atë të biznesmenit Kosta Trebicka. Të kërkosh të krijosh kapital politik me vdekjen, në fakt realisht bën efektin e kundërt. Së paku, duhet pasur guximi më vonë që të pranohet e vërteta dhe përgjegjësia". Deputeti Shehu, duke shprehur keqardhje për ngjarjen e rëndë theksoi se gjithsesi "Shqipëria nuk mund të kthehet në një vend me tela me gjemba, ndërkohë që qytetarët duhet të ndërgjegjësohen që të mos ndërmarrin veprime të rrezikshme".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›