Rehn: Pres reforma nga vendet e Ballkanit
Komisioni Evropian, megjithëse nuk ka plane për një zgjerim të afërt, ka kërkuar më shumë reforma nga vendet e Ballkanit. KE-ja deklaron se pret rezultate të mira nga Shqipëria dhe vendet e tjera, si Mali i Zi e Bosnjë-Hercegovina në lidhje me përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Kështu është shprehur kryekomisioneri i zgjerimit në BE, Oli Rehn, i cili e quajti vitin 2009 si vitin e Ballkanit për bllokun evropian. Oli Rehn me këtë rast thekson se mosmiratimi i traktatit të Lisbonës nuk do të bëhet pengesë për Brukselin që të pranojë shtete të tjera. Rehn ka përsëritur se Kroacia do t’i mbyllë negociatat në vitin 2009, duke shtuar se Kroacia do miratohet si anëtar pasi të përmbushë të gjitha kriteret. Dhe Zagrebi ka ende për të bërë në reformimin e sistemit ligjor, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Megjithatë, Kroacia është e sigurt që do të jetë anëtari i 28-të i BE-së në vitin 2010. Në lidhje me Serbinë, Oli Rehn tha se ky vend do të marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE në fund të vitit 2009. Por ai shtoi se do të pritet më parë edhe një vlerësim i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për bashkëpunimin me Beogradin në lidhje me dorëzimin e kriminelëve të luftës. Një ditë më parë, Rehn tha se Maqedonia nuk është gati për të marrë statusin e kandidatit në BE këtë vit, për shkak se nuk ka plotësuar shumë nga kushtet e vendosura nga blloku prej 27 anëtarësh.