E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria do kompensojë të gjitha dëmet

08/01/2010  Kryeministri Berisha siguron se situata në zonët e përmbytura është e menaxhueshme
Sulm Edi Ramës. “Qytetarëve të Tiranës, që i lau diga dhe nuk u dha kush një qindarkë”
Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar pasditen e djeshme gjatë mbledhjes së qeverisë se forcat që gjendjen në zonat e përmbytura po menaxhojnë situatën e krijuar dhe se nuk ka vend për panik. Kreu i qeverisë ka evidentuar si tepër të rëndësishëm evakuimin e popullsisë së këtyre zonave. Megjithëse kishte deklaruar më parë se mund të merrej vendimi për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e prekura, shefi i ekzekutivit nuk e përcolli këtë vendim. Kjo për arsye se situata sipas tij po përballohet nga forcat e ushtrisë, ato të policisë, nga pushteti vendor dhe puna që po bëhet në respekt të vendimeve të marra nga Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile. Duke iu referuar shkarkimeve të ujërave nga hapja e portave të hidrocentraleve, kryeministri tha se sasia e ujit nuk është as gjysma e shkarkimeve që u bënë në marsin e vitit 2004. Duke evidentuar këtë fakt, Berisha tha se ka pasur përpjekje për ta përcjellë si të paprecedentë këtë situatë. Sipas tij, në qytetin e Shkodrës po përhapet panik me qëllim për gjoja rrezik të shembjes së digave. “Ka pasur edhe të pafytyrë, që janë përpjekur të përhapin lajme të qëllimshme, të ulëta politike. Sistemi i digave është më se i sigurt”, - ka deklaruar kryeministri. Shefi i ekzekutivit nuk ngurroi të sulmojë edhe kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, duke i kujtuar atij hapjen para disa vjetësh të portave të digës së Liqenit Artificial në Tiranë. Berisha tha se banorët e komunave të prekura nga përmbytjet do të kompensohen në çdo qindarkë. “Qytetarët e Dajçit, Obotit, Bushatit do të kompensohen qindarkë për qindarkë për çdo humbje dhe nuk do të kenë kurrë fatin e qytetarëve të Tiranës, që i lau dhe shpëlau diga dhe nuk u dha kush një qindarkë. Ligji i digave në Tiranë u bë letër pa vlerë, atje do të jetë omnipotent. Garantoj se do të zbatohet me rigorozitet. E shkuara nuk mund të përsëritet”, - ka theksuar shefi i ekzekutivit. Kryeministri kërkoi nga Komiteti i Emergjencave që përveç evakuimit dhe përballimit të situatës rëndësi t’i kushtohet edhe gjendjes postemergjencë. Kryeministri kërkoi hapjen e një llogarie bankare, ku do të mund të derdhen kontribute financiare nga të gjithë në ndihmë të familjeve të prekura nga kjo situatë. Ai kërkoi që një rrogë e tij të kalojë në këtë llogari.
PD: Rama përhap panik
Partia Demokratike ka thënë se kryesocialisti Edi Rama po përdor veglat e tij duke i ndërsyer për të marrë në telefon qytetarë në Shkodër për t’i thënë se digat janë në rrezik çarje. “PD-ja i thotë këtij paranojaku se digat janë në siguri të plotë, se paniku që përpiqesh të hapësh në Shkodër tregon vetëm urrejtjen tënde ndaj këtij qyteti”, - tha zëdhënësja Erla Mëhilli.
PS: Të ikë Prifti
Deputetja socialiste Valentina Leskaj ka kërkuar largimin nga detyra e ministrit të Energjetikës Dritan Prifti. “PS vlerëson se ato kanë një shkaktar, ministrin e Ekonomisë dhe këtë qeveri pa legjitimitet. Në këto kushte PS kërkon me vendosmëri, largimin e Dritan Priftit si përgjegjës i drejtpërdrejtë i kësaj katastrofe, plotësisht e shmangshme”, - tha deputetja e PS-së.
Shtyrja e mbledhjes
Mbledhja e Këshillit të Ministrave ishte parashikuar të zhvillohej gjatë paradites, por zhvillimet gjatë ditës kanë detyruar kryeministrin Sali Berisha të shtyjë mbledhjen për pasdite. Takimi me ekspertin italian të digave, inxhinierin Roberto Guercio, konferenca për shtyp për gjendjen e zonave të përmbytura dhe në mënyrë të veçantë qëndrimi në kontakt të pandërprerë me Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile bënë të mundur që kryeministri Berisha të merrte vendimin për të spostuar për disa orë mbledhjen e qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›