Dorehiqet nga perfaqesuesja angleze Fabio Kapelo
Fabio Kapelo largohet nga detyra si trajner i Kombëtares angleze. Trajneri italian paraqiti dorëheqjen pas kontradiktave me Federatën e Futbollit për çështjen e Xhon Territ. FA-ja, e cila konfirmoi zyrtarisht lajmin për largimin e “Don Fabios”, kishte vendosur ti hiqte shiritin e kapitenit mbrojtësit të Çelsit, në pritje që të sqaroheshin akuzat për rracizëm ndaj lojtarit të Kuins Park Rejnxhërs, Anton Ferdinand. Kapelo nuk i kishte fshehur pakënaqësitë për vendimin që FA-ja e mori pa e konsultuar, ndërsa ky ishte episodi i fundit i një marrëdhënieje me mjaft përplasje, që e detyroi të braktiste stolin e “Tre Luanëve”, ku punonte prej vitit 2008. Trajneri kishte dalë në mbrojtje të lojtarit duke deklaruar se “heqja e shiritit të kapitenit të Territ nuk ishte e drejtë për aq kohë sa lojtari nuk është shpallur fajtor nga gjykata”, ndërsa mediat e kritikonin që ai doli kundër federatës, nga e cila përfiton plot 7 milionë e 150 mijë euro në vit. Kapelo u takua me kreun e Federatës Angleze, David Bernshtajn dhe sekretarin e përgjithshëm, Aleks Horn në “Uembli”, ku u bëri të ditur vendimin e marrë, vetëm 4 muaj përpara startit të Euro 2012. Bernshtajn bëri të ditur se “gjatë gjithë mbledhjes Kapelo u soll në mënyrë mjaft profesioniste. Pranuam dorëheqjen e Kapelos, të cilin e falënderojmë për punën e kryer prej vitit 2008, por mendojmë se ky ishte vendimi i duhur”. Nga ana e tij, Kapelo nënvijëzoi se vendimi për heqjen e shiritit të kapitenit nga Terri “vendosi në diskutim autoritetin tij si trajner i përfaqësueses, duke krijuar një problem të madh në skuadër. Asnjëherë nuk i kam pranuar gjëra të tilla, e për këtë arsye, vendimi për t’u larguar nuk ishte i vështirë”.