Roshi ne top 11 europiane
I mjaftuan 99 sekonda në fushën e lojës për të shënuar golin e parë në Bundesligën gjermane. Odise Roshi i dha tre pikë të arta Këlnit në fitoren 1-0 të arritur në fushën e Kaizersalutern, të vlefshme për javën e 20-të. Përveçse i shërbeu për ta zhbllokuar, kjo rrjetë bëri që Roshi të përfshihej në formacionin më të mirë të javës në Europë, sipas faqes “Calciomercato.com”, e cila ka përzgjedhur 11 futbollistët më të mirë nga katër kampionatet kontinentale: Spanjë, Gjermani, Angli e Francë, ndërsa nuk është llogaritur Seria A italiane. Në formacionin 3-4-3, 20-vjeçari me epitetin “raketa” ndodhet mes të tjerëve përkrah emrave të mëdhenj, si mbrojtësi i Realit të Madridit Sergio Ramos, mesfushori i Leverkusen, Simon Rolfes, mesfushori i PSG-së, Nene dhe sulmuesit Robin van Persi i Arsenalit dhe Klaudio Pizarro i Verder Bremenit. Me golin e shënuar kundër Kaizerslauternit, që ishte ndeshja e 11-të ku aktivizohej në këtë sezon me Këlnin në Bundesligë, për një total prej 235 minutash, Odise Roshi fitoi edhe vlerësimin si lojtari më i mirë i javës në kampionatin gjerman. Ndërkohë, ai është kthyer edhe në personazhin e mediave gjermane, pasi i intervistuar pas golit të parë në Bundesligë, Roshi nuk ka nguruar ta krahasojë veten me Kristiano Ronaldon, duke thënë se “shoh ngjashmëri kur vrapoj; pastaj edhe unë e kam të dashurën po aq të bukur sa Irina Shaik”.