E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inzagi: “Mos e tërhiqni numrin 9!”

Sulmuesi i Milanit, Filipo Inzagi këmbëngul se bluza e tij me numër nëntë nuk duhet të tërhiqet kur ai të varë "këpucët në gozhdë". Ish-lojtari i Juventusit është një nga sulmuesit më pjellorë të gjitha kohërave dhe vetëm legjenda gjermane, Gerd Myler, ka shënuar më shumë gola në kompeticionet europiane se Inzagi. Superpipo shënoi sërish gjatë fitores kundër Benfikës në Ligën e Kampioneve dhe paraqitjet e tij të jashtëzakonshme, qysh kur u bashkua me Milanin në vitin 2001 i ka bërë tifozët kuqezinj të kërkojnë tërheqjen e fanellës me numër nëntë kur Inzagi të përfundojë karrierën e tij. "Fanella me numër nëntë nuk duhet të tërhiqet nga klubi kur unë të lë futbollin", - tha Inzagi me modesti. "Ky nder nuk iu bë as Marko Van Bastenit të madh, i cili gjithashtu kishte numrin nëntë dhe nuk pres që kjo gjë të ndodhë edhe ndaj meje". Trajneri aktual i Kombëtares holandeze, Van Basten, luajti për Milanin nga viti 1987 deri në vitin 1993 dhe shënoi 128 gola në 147 ndeshje për kuqezinjtë. Inzagi ka shënuar gola vendimtarë, por dygolëshi i tij në finalen e Ligës së Kampioneve kundër Liverpulit e ka vendosur statusin e tij si një nga legjenda e Milanit. Kur 34-vjecari do të tërhiqet përfundimisht do të kujtohet si një nga golashënuesit më të mëdhenj që ka prodhuar Italia ndonjëherë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›