E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irak: 28 të vrarë dhe 57 të plagosur

Autoritetet irakiane thonë se të paktën 28 veta humbën jetën dhe 57 të tjerë u plagosën nga dy shpërthime vetëvrasëse në pjesën veriore të vendit.

Policia tha se sulmi ndodhi sot në një qendër rekrutimi të forcave irakiane të sigurimit në qytetin Bakuba të provincës Dijala.

Një zëdhënës i ushtrisë amerikane në Bagdat tha se sulmi kishte në shënjestër rekrutë të policisë irakiane. Zyrtarët irakianë thanë se pjesa më e madhe e viktimave ishin rekrutë të ushtrisë.

Ky incident ndodh në prag të një fushate të re shtypëse në provincën Dijala.

Ndërkohë, komandanti më i lartë britanik në Irak tha se qyteti jugor i Basrës mbetet nën kërcënimin e militantëve shiitë, megjithë ofensivën e marsit që e stabilizoi rajonin.

Gjeneral Majori Barney White-Spunner tha dje se milicitë shiite, të cilat e humbën kontrollin mbi Basrën gjatë një ofensive të ushtrisë, janë të vendosura të kthehen në qytet. Ai tha se forcat irakiane dhe britanike po ngrenë një rrjet sigurie për të mos lejuar kthimin e militantëve në qytet.

Në zhvillime të tjera, dje zyrtarët irakianë thanë se gjetën pranë qytetit Mosul trupat e 4 personave me plagë armësh zjarri. Në Bagdat një person aktivizoi një granatë pranë një postblloku policor, duke lënë të vrarë 3 vetë dhe duke plagosur 13 të tjerë.

Ushtria amerikane tha se trupat në kryeqytet ndaluan një militant që kishte pasur gisht në shpërthime me bomba në anë të rrugës. Ushtria tha gjithashtu se forcat e koalicionit ndaluan pesë persona të dyshuar si terroristë gjatë operacioneve në qytetet veriore Mosul dhe Samarra.    (ze)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›