Irak, kamikazët shpërthejnë në Bagdad, 78 viktima
Dje Iraku ka përjetuar sulmin më të përgjakshëm të këtij viti. Sipas burimeve të policisë irakiane, dy sulme vetëvrasëse me bombë kanë shkaktuar vdekjen e më shumë se 78 personave dhe plagosjen e mbi 50 të tjerëve. Sulmi i parë ndodhi dje në qendër të Bagdadit, ku u vranë të paktën 28 vetë, kurse në sulmin e dytë në Bakuba u vranë të paktën 50 vetë. Atentati ndodhi në qytezën Muqdadiya, rreth 90 km në Verilindje të kryeqytetit. Sipas policisë, njeriu-bombë kishte vendosur një brez eksplozivash dhe i veshur me të hyri në restorant dhe e hodhi veten në erë mes pelegrinëve iranianë dhe irakianë që ndodheshin atje. Sipas BBC, provinca e Dijalës, mbetet një prej dy zonave kryesore në Irak, që i kanë shpërfillur të gjitha përpjekjet për vendosjen e kontrollit në kontrast me Bagdadin, që ka parë një përmirësim të ndjeshëm për sa i takon sigurisë gjatë vitit të fundit. Sulmi tjetër vetëvrasës shkaktoi gjakderdhje në një prej shesheve kryesore të qendrës së qytetit. Kamikazi e hodhi veten në erë, pasi u infiltrua në një turmë me familje të shpërngulurish, të cilëve po u jepej ndihmë nga policia irakiane. Shpërthime të tilla zakonisht besohet se janë vepër e grupeve të militantëve sunitë si Al Kaeda apo grup të ngjashme. Por deri tani askush nuk ka deklaruar përgjegjësinë e sulmit.