Loja me karburantet, benzina dhe nafta pësojnë rritje të çmimit në treg
Ervin KOÇI
Hidrokarburet kanë nisur sërish të rriten gradualisht dhe pa asnjë shpjegim. Duket disi e habitshme por rritja e çmimit për litër të karburanteve kryesore është afishuar tashmë në të gjitha tabelat e pikave të tregtimit me pakicë në kryeqytet, i shoqëruar nga justifikimi i përhershëm i tregtarëve “bursat”. Por në fakt ajo që po ndodh në bursat ndërkombëtare pas shtrenjtimit të pak ditëve ka qenë një ulje e menjëhershme e të gjitha çmimeve të karburanteve, në një kohë që në vend rritja vetëm sapo ka rifilluar dhe nuk po njeh ulje. Vetëm në pak ditë çmimi i naftës dhe benzinës ka pësuar një rritje nga 5 -10 lekë për litër në tregun e karburanteve. “Rritja e çmimeve është shkaktuar nga ecuria e bursave ndërkombëtare”, - thonë tregtuesit dhe grosistët e hidrokarbureve. Por e vërteta flet ndryshe. Çmimi i arit të zi vazhdon të shënojë rënie në bursat ndërkombëtare. Shqetësimet e investitorëve për ekonominë globale kanë çuar në rënien me 9 për qind të çmimit të naftës. Të hënën, një fuçi nafte në bursën e Nju Jorkut u tregtua për më pak se 46 dollarë. Një tjetër shkak për këtë pikiatë të naftës është edhe rënia e kërkesës për energji, që ka ardhur si pasojë e krizës që ka goditur veçanërisht sektorin e automjeteve. Rënie shënuan edhe bursat amerikane dhe evropiane, duke ofruar një efekt domino edhe në tregjet financiare aziatike. Për shkak të këtyre luhatjeve, pas një stabilizimi prej më se një muaji e gjysmë, çmimet ndryshuan edhe te ne. Në disa prej pikave të shitjes me pakicë të karburanteve në kryeqytet, nafta e cilësisë së dobët “D2” po shitet me 118 lekë për litër, nafta e cilësisë së mirë, e njohur si eurodizel “D1” ka arritur në 120 lekë për litër, ndërsa benzina është tregtuar me 119 lekë për litër.
Rritja u paralajmërua
Shtrenjtimi i çmimit të karburanteve u paralajmërua nga importuesit por askush nuk e vuri “ujin në zjarr”. Nga 15 shkurti 2009 e deri më sot, bursa ndërkombëtare ka koutuar një fuçi nafte në vlerat 43-44 USD/fuçia, produkti i përpunuar është ofruar me çmimin 480-490 USD për ton, benzina me çmimin 500 USD për ton ndërsa në mesin e muajit shkurt një ton nafte e përpunuar, është ofruar me çmimin 370-400 USD. Grosistët kanë thënë se rritja e çmimit të hidrokarbureve në tregun ndërkombëtar dy muaj më parë nuk u pasqyrua në mënyrë të menjëhershme në tregun e brendshëm të shumicës, pasi kjo rritje çmimesh u amortizua nga rezervat e detyrueshme të kompanive kryesore importuese. Por tani ata kanë thënë se këto rezerva përfunduan dhe çmimi i ri me të cilin u blenë sasitë e reja të hidrokarbureve ishte ai i rrituri.
Rritja prej akcizës
Shkak tjetër për rritjen e çmimit të karburanteve në vend sipas grosistëve ka qenë dhe hyrja në fuqi e ligjit të ri për akcizat. Sipas ligjit, akciza e naftës fiksohet në 37 lekë për litër. Ligji i miratuar, parashikon një akcizë fikse për çdo litër karburant të importuar apo të prodhuar në vend. Sipas importuesve të naftës kjo taksë vepron menjëherë në tregun e karburanteve, pavarësisht gjendjes së rezervave në depozita. Kështu kompanitë importuese dhe prodhuese janë të detyruara sipas ligjit, të aplikojnë akcizën e re mbi të gjithë sasinë e mallit në magazinat doganore dhe në import, duke i shtuar kësaj takse edhe tatimin mbi vlerën e shtuar. Kjo do të thotë që tregu do të reflektojë një çmim prej 12 lekë për litër karburant, më tepër se sa para aplikimit të akcizës së re. Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve bën me dije se edhe në tregun e pakicës do të pasqyrohet ky ndryshim ligjor, por për tregtarët që shesin midis 5-15 mijë litra karburant në ditë, ky ndryshim pasqyrohet në mënyrë të menjëhershme, ndërsa për kompanitë tregtare që disponojnë kapacitete më të vogla, ndryshimi i çmimit është më i vonshëm. Kjo lidhet me praktikat tatimore që ndjek Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila penalizon subjektet e tregtimit me pakicë, nëse çmimet e afishuara të tyre janë të ndryshme nga faturat tatimore të blerjes së produktit.
24 Prill 2009