Studimi i BB-së: “Rritet varfëria në 26.6 % në zonat malore”
Shqiptaret që jetojnë aktualisht në zonat malore të vendit, por edhe në disa zona periferike të metropolit, vazhdojnë të jetojnë në varfëri të plotë. Paralajmërimi është bërë dje nga Banka Botërore e cila apeloi se kriza ekonomike globale rrezikon të thellojë varfërinë në Shqipëri. Deklaratat janë bërë nga përfaqësuesja e BB-së në vendin tonë Kamil Nuamah gjatë prezantimit të anketës për matjen e nivelit të jetesës të zhvilluar nga Instituti i Statistikave, PNUD-i dhe BB-ja. Sipas Nuamah, duhet të identifikohen personat më të prekshëm të cilët në kushtet e krizës botërore rrezikojnë të bien në varfëri. “Duhet të shohim se cilët janë personat vulnerabër ndaj varfërisë, pasi nuk e dimë se sa do të zgjasë kriza globale. Duhet të abalizojmë se çfarë duhet të bëjmë për të mbajtur këto rezultate të varfërisë, pasi nuk është faji i shqiptarëve por i problemeve të ekonomisë botërore”- u shpreh Kamil Nuamah. Sipas anketës, në qytete si Tropoja, Kukësi, Hasi, Bulqiza, Dibra, Gramshi dhe Elbasani niveli i varfërisë në vitin 2005 ishte 25.6 për qind dhe në vitin 2008 ai është rritur me 26.6 për qind. Përfaqësuesit e BB-së dhe PNUD-it kanë cilësuar se në këtë studim nuk janë përfshirë efektet e krizës globale që kanë nisur të ndihen në vendin tonë gjatë muajve të fundit të vitit që lamë pas. “Progresi i shënuar në uljen e varfërisë është rezultat i shpirtit sipërmarrës të popullit shqiptarë, të dhënat e anketës janë marrë përpara fillimit të krizës globale”,- u shpreh përfaqësuesja e BB-së në Shqipëri, Nuamah. Ndërkohë përfaqësuesi i PNUD-it, Norimasa Shimomura, tha se “rezultatet e anketës nuk reflektojnë efektet sociale të krizës globale. Shqipëria ka nevojë për një sistem të fuqishëm statistikorë dhe hapat e marra nga qeveria në këtë drejtim janë të mirëpritura”. Nga anketa për matjen e nivelit të jetesës ka rezultuar se gjatë viteve të fundit varfëria është vendosur nga zonat rurale drejt atyre urbane, por varfëria mbetet një dukuri karakteristike për zonat malore. “Në zonat malore kemi një rritje të varfërisë nga 25.6 për qind në 26.6 për qind. Shkak për këtë është bërë pamundësia për migrim brenda territorit të Shqipërisë të banorëve që jetojnë atje. Po ashtu edhe në Tiranë vihet re një rritje e varfërisë nga 8.1 në 8.7 për qind”,- u shpreh drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja. Sipas ekspertëve që kanë realizuar anketën, një hipotezë e mundshme që shpjegon këtë rezultat është krijimi i një kufiri të varfërisë në rajonin malorë. Këshilltari i kryeministrit Berisha, Selami Xhepa, tha se do të ndërhyhet në përmirësimin e skemës së ndihmës ekonomike. Në këtë studim është vënë re se, shqiptaret harxhojnë më shumë para për arsimim sesa për ushqim në krahasim me katër vite më parë.
24 Prill 2009