E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne po e vështrojmë mbytjen e vaporit…

YLLI DYLGJERI 

Disa shtete duke përfshirë dhe tonin nuk e zgjidhin dot dilemën e forcës së shtetit: Jam shtet i fortë apo jam sipërmarrje private? Gjatë një periudhe kohe këto shtete bëhen më të dobëta, pasi i shkatërrohen burimet e legjitimitetit vertikal dhe horizontal. A nuk po i ndodh kështu edhe qeverisë dhe kryeministrit tonë të (pa)nderuar? Skandalet po garojnë çdo ditë me njëri-tjetrin, paçka se Prokuroria shqiptare duket e lodhur. E zë nata dhe del rëndom herë pas here jashtë afateve, jashtë kohës. Jashtë afatit Durrës-Kukës, jashtë afati po tenton të dalë çështja Fazlliç, për të vijuar më tej edhe me gropën e Gërdecit. Ndërkohë që gropa të reja tentojnë të hapen çdo ditë, që nga lejet e ndërtimit e deri te licenca e celularit të 4-ët. Bolla të tjera blu po thithin në trupin e këtij vendi, paçka se na janë shfaqur në tavolina si kampionët e ndershmërisë e të humanizmit me kompanitë e tyre “derë më derë”. Prandaj, çdo ditë e më tepër na vjen të thërrasim: Të rivendoset në afat Prokuroria, pastaj të bëjmë shtet! Sepse kështu po ndodh çdo ditë. Kështu ndodhi edhe me vendimin e fundit të qeverisë shqiptare, që i jep të drejtë drejtorisë së hetimit tatimor që të paguajë edhe informatorët për marrjen e informacionit, si dhe të marrë në pyetje biznesmenët. Tatimorët në këtë vend shihen si njerëz të mërzitshëm dhe të pandershëm. Tashmë, qeveria po kërkon hetim policor, njëlloj si në republikat e bananeve, ku për të mbledhur taksat vihen në punë të gjitha policitë, përfshirë edhe atë të shtetit. Dhe si të mos mjaftojë ky zullum i radhës, të gjitha këto marrëzira do të bëhen me vendim të Drejtorisë së Tatimeve! Pra, Drejtoria e Hetimit Tatimor ka për detyrë që deri më dt. 30.05.2009, të nxjerrë aktet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi. Kështu na thanë dje politikanët e qeverisë së korruptuar (edhe sipas agjencisë TI), në mbledhjen e fundit të tyre. Problemi i politikës nuk është kontrolli i poshtërsisë, por kufizimi i drejtësisë. Pasi e zëvendësuan administratën publike me militantë dhe nepotë, tani duan të hetojnë biznesin me punonjës të përkohshëm, të marrë në punë me kontratë provizore, vetëm për muajt e fundit të qeverisjes!? Shumë bukur do të thoshin vetëm miopët! Në Gjermani, qeveria demokratike e pasluftës u kërkoi aleatëve leje për mbajtjen në fuqi të një ligji të kohës së nazizmit që rregullonte shërbimin e mirënjohur civil. Të 53.000 nëpunësit civilë permanentë që ishin përjashtuar më parë u kthyen në punë, me përjashtim të 1000 vetëve (Sheter 1993). Këtu, me një qeveri paraardhëse demokratike, u zëvendësua e gjithë administrata me një të rënë të lapsit kuqeblu “Berisha&Rama”. Apo, si “pro-amerikanë” të deklaruar, politikanët po zbatojnë me “besnikëri” fjalët e të madhit Kissinger: “Politika e thellë lulëzon nga krijimtaria e vazhdueshme, ose… Administrimi i mirë lulëzon mbi rutinën?” Nuk di ç’të thotë njeriu nën këtë politikë që e ka zënë nata e që njëherësh hyri edhe në NATO… Kartat e identitetit janë sot në pikëpyetje dhe zgjedhjet janë po në udhëkryq. Së fundmi, duke kërkuar shpëtim dhe shpjegimin për logjikën e gjërave në këtë vend, na vjen në ndihmë një studiues amerikan me emrin Otein Marenini, i cili, duke përshkruar gjendjen e shteteve të dobëta në librin e tij, shprehet dhimbshëm përmes metaforës: “Ky është vetëm një vapor që po mbytet, dhe po mbahet gjallë dhe mbi ujë falë veprimeve të një pjese të ekuipazhit, pasagjerëve dhe vaporëve që kalojnë… pjesëtarët (e tjerë) të ekuipazhit dhe pasagjerët e tjerë janë të zënë deri në grykë, duke e copëtuar vaporin për material për një vapor tjetër. Pasagjerët e vaporëve të tjerë vështrojnë, u japin këshilla, mund t’u hedhin litarë shpëtimi ose mund të ndihmojnë disa grupe kundër të tjerëve. Konflikte… ka jo vetëm për kursin e vaporit apo shpërndarjen e të mirave dhe autoritetit brenda ngjarjes që po zhvillohet, por ato përfshijnë thellë edhe vetë vaporin, nëse ai duhet mbajtur mbi ujë dhe si të rindërtohet apo të shkatërrohet, njësoj si konfliktet për mënyrën e shpërndarjes. Pra, gjatë kohës nuk ka shtet tranzitor, por ka tranzicion të shtetit, të formave, funksioneve dhe aparatit të tij”.
Faleminderit zoti Marenin! Ne po e vështrojmë mbytjen e vaporit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›