E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kredia në lekë, BSH-ja e ul nivelin e interesit në 5.75 për qind sipas normës Repo

Kredia në monedhën vendase më e leverdishmja për shqiptarët. Procedurat e kredidhënies do të vijojnë të shtrëngohen gjatë 2009-s

Ervin KOÇI

Banka e Shqipërisë ka vendosur së fundi që të stimulojë më tepër marrjen e kredisë në monedhën vendase, kjo si një mënyrë e mirë për të eliminuar shtimin e kredive me probleme. Për këtë arsye BSH-ja ka ulur normën e interesit për kreditë në monedhën vendase deri në nivelin e normës së interesit Repo, pra në 5.75 për qind. Në këtë mënyrë BSH-ja kërkon që të stimulojë marrjen e kredive në lekë si nga individët ashtu dhe nga kompanitë, duke konkurruar kështu ndaj normave të interesit për kreditë në valuta. Aktualisht kreditë në valutë kryesisht në euro dhe dollarë kanë një normë interesi më të lartë, në një kohë që bankat private i kanë shtrënguar së tepërmi procedurat e dhënies së kredive. Sipas BSH-së, bankat private, do të jenë akoma më dorështrënguara me huatë që japin për bizneset se sa për individët. Sipas llojit të kredisë për individët, kredia konsumatore u shtrëngua më shumë se kredia për blerje banese. Kredia u shtrëngua në pothuaj të njëjtën masë si për koorporatat e mëdha ashtu dhe për bizneset e vogla dhe të mesme, por me një shtrëngim më të dukshëm për kredinë për investime afatgjata. “Standardet e miratimit të kredisë do të vijojnë të shtrëngohen gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2009, më shumë për bizneset se sa për individët. Por gjithashtu, në kontrast me vrojtimet e mëparshme, bankat presin që kërkesa e bizneseve për kredi të bjerë në 6-mujorin e parë të vitit 2009, si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për koorporatat e mëdha”, - theksohet në raportin e BSH-së. Kërkesa neto e bizneseve të vogla është në ulje nga 6-mujori i parë, por pozitive, ndërsa kërkesa neto e korporatave është negative, e ndikuar nga ulja e nevojës për financim të investimeve.

Kredia për bizneset

Bankat kanë forcuar standardet e aplikuara për kredinë dhënë korporatave të mëdha, ashtu edhe standardet e aplikuara për kredinë dhënë ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Bankat janë shprehur për dobësim të kërkesës për kredi, më e theksuar kjo për korporatat e mëdha se sa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Faktori kryesor që ka nxitur kërkesën e bizneseve për kredi është nevoja për financimin e inventarëve dhe të kapitalit qarkullues. Kushtet e kreditimit të aplikuara nga bankat si dhe situata makroekonomike kanë qenë faktorë që kanë ndikuar në ulje të kërkesës. “Bankat janë shprehur se shtrëngimi i standardeve për miratimin e kredive për bizneset do të vijojë gjatë gjysmës së parë të vitit”, - thuhet në raport.

Kredia për individë

Sipas llojit të kredisë për individë, standardet e kredisë për konsum kanë qenë më të shtrënguara se sa për blerje banese. “Kredia për konsum ndjek tendencën shtrënguese që nga 2 vrojtimet paraardhëse, ndërsa kredia për banesa ka pësuar shtrëngimin më të madh në vrojtimin e radhës. Faktorët kryesorë që kontribuuan në shtrëngimin e standardeve të kredisë për individë në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2008 ishin gjendja financiare, niveli i likuiditetit të bankës dhe situata në kreditë me probleme. Ndërsa, konkurrenca në sistemin bankar ka dhënë një kontribut të vogël në lehtësimin e standardeve të miratimit e kredive”, - theksohet në raport. Pritjet e ekspertëve të bankave tregojnë për shtrëngim të standardeve për miratimin e kredisë për individë. Për gjashtëmujorin e parë të vitit 2009, bankat presin që kërkesa e individëve të vijojë prirjen rënëse.

24 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›