Irak:Vetëdorëzohen gratë kamikaze
Tetëmbëdhjetë gra militante të Al Kaedës në veri të Irakut janë vetëdorëzuar tek forcat amerikane sepse nuk donin të kryenin sulmet kamikaze për të cilat i kishte urdhëruar grupi militant. Lajmi u bë i ditur nga komanda e trupave amerikane në vend. Në deklaratën e komandës së trupave amerikane thuhet se klerikët e zonës dhe familjarët i kishin bindur gratë të vetëdorëzoheshin dhe të nënshkruanin një pakt pajtimi me komunitetin e tyre, por nuk përcaktonte me saktësi vendin në veri të Irakut. Gjatë këtij viti ka pasur një rritje të numrit të sulmeve kamikaze të kryera nga femrat, një nga taktikat më të përdorura nga militantët synitë të Al Kaedës, sepse ato e kanë më të lehtë të kalojnë pikat e kontrollit, ku policët meshkuj nuk i kontrollojnë ato për jelekë të mbushur me eksplozivë. Të paktën mbi 20 femra kanë kryer sulme kamikaze këtë vit, veçanërisht në krahinën e trazuar irakiane Diyala, në veri të Bagdadit, ku kanë humbur jetën një numër i konsiderueshëm njerëzish.
"Fakti që kaq femra, që mund kryenin sulme kamikaze me bomba, u vetëdorëzuan, tregon një solidaritet të qartë, ndërkohë që populli irakian po i kundërvihet Al Kaedës dhe metodave të tyre barbare", u shpreh gjeneral-majori Mark P. Hertling, komandanti i trupave amerikane në veri të Irakut.