Iraku 2004-2008: 85 mijë civilë të vrarë
Rreth 85 mijë irakianë kanë humbur jetën e tyre nga viti 2004-2008 nga dhuna. Kjo është shifra e qeverisë së Irakut, e cila është edhe tentativa e parë zyrtare e qeverisë për të dhënë një shifër të civilëve të vrarë. Raporti thotë, ndër të tjera, se ndërkaq janë plagosur edhe 147195 persona. Këtu përfshihen vetëm irakianët, jo ushtarët e huaj dhe nuk llogariten muajt e vitit 2003 që ishte edhe viti i parë i fillimit të luftës. Numri i të vrarëve është konsideruar gjithmonë një nga sekretet më të rëndësishëm dhe më shumë të ruajtur të luftës. Për të ka pasur diskutime të vazhdueshme, duke qenë se lufta u kundërshtua që në fillim nga shumë shtete dhe më pas është kritikuar vazhdimisht, sidomos në lidhje me numrin e viktimave të shkaktuara në radhët e civilëve. Kritikët e të dy kampeve, pra atij që pretendon numër të madh viktimash dhe të tjerëve që e ulin këtë numër janë në konflikt të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Ndërkaq, shifra e fundit vjen si pasojë e një studimi më të plotë të të drejtave të njeriut, në të cilin analizohen shumë aspekte të viteve të pushtimit amerikan të Irakut. "Përmes sulmeve terroriste, si shpërthimeve, vrasjeve, grabitjeve dhe zhvendosjeve me dhunë, grupet e jashtëligjshme kanë krijuar kasaphana të vazhdueshme dhe ata janë shkaktarët e këtyre shifrave shumë të larta", thuhet në studim. Dhuna, e si pasojë edhe numri i të vrarëve, është ulur ndjeshëm që nga viti i kaluar, por thuajse të gjithë banorët e Irakut janë prekur personalisht nga situata e rëndë dhe nga vdekjet e vrasjet. Dhuna vazhdon që të prekë kryesisht civilët shiitë dhe vendet e tyre të shenjta. Në shifrat e ministrisë, 1279 fëmijë janë pjesë e të vrarëve dhe 2334 janë gra. Ndër kategoritë e tjera përfshihen 263 profesorë, 21 juristë, 95 avokatë, 269 gazetarë, që flet edhe për profesionet që kanë pësuar edhe më shumë humbje. Sipas raportit, viti 2006 ishte edhe viti më vdekjeprurës me 32622 persona të vrarë. Për vitin 2004, numri i viktimave ishte 11313. Viti i dytë më vdekjeprurës ishte 2007 me 19155 persona të vrarë. Ndërsa viti me më pak viktima, deri më tani është viti 2008. Mes viktimave, 15 mijë janë ende të paidentifikuara dhe që janë varrosur në varreza të veçanta. Të paktën 10 mijë persona konsiderohen si të zhdukur. Krijimi i një ideje të qartë për të vrarët ka qenë shumë i vështirë, për shkak të rrethanave të luftës. Një nga studimet që bëri më shumë bujë në lidhje me numrin e të vrarëve ka qenë ai i një universiteti në Bagdad dhe një universiteti amerikan, sipas të cilit gjatë luftës janë vrarë rreth 600 mijë civilë irakianë për shkak të dhunës. Sipas autorëve, vetëm 50 mijë kanë vdekur si pasojë e shkaqeve jo të dhunshme, por e pushimit të zemrës, kancerit, apo sëmundjeve të tjera të shkaktuara nga përkeqësimi i kushteve të jetesës për shkak të luftës.