Skamja e qytetarëve, hanë bukë dhe shëllirë
Në Leminat të Korçës, familja e varfër në kulm që i vdiq i biri në spital, mjekët i kërkuan të blinte ilaçin jashtë spitalit. Një tjetër familje në Kamzë jeton vetëm me fëmijët në skamje totale në një dhomë 3 me 3. Tek Ura e Beshirit, vajza dhe e ëma që qan se nuk kanë të hanë dhe u vjen turp, për mëngjes hanë shëllirë me bukë, për drekë gjethe ose qepë të skuqura. Në Shkodër gruaja që ka katër vjet që i ka vdekur i shoqi dhe fëmijët e saj kanë katër vjet që nuk e dinë se çfarë janë frutat, shiu që bie jashtë u futet brenda në shtëpi. Të gjitha këto janë rastet e vëzhgimit të "Fiks Fare". Gazetarët kanë ndjekur nga afër gjendjen e mjeruar të qytetarëve. Në Kamzë, gruaja që thotë të na rrojnë shoqatat arabe që gjithmonë na kanë ndihmuar, ndërsa shteti asnjëherë. Çdo gjë që kishte në shtëpi ia kishin falur të tjerët apo i kishte blerë kur do t‘i shisnin për hekur. Familja në Lurë që jeton bashkë me lopën dhe kanë shtëpinë, më shumë i ngjason një stalle se shtëpie. Në Ersekë dhe Korçë të pastrehët jetojnë në skamje totale. Fëmijët flenë në sfungjerë të shtruar në korridor. Kur merr 42 mijë lekë përkrahje merr thesin e miellit. Në zgjedhjet e 2005-s i kanë ardhur në shtëpi nga Partia Demokratike dhe i kanë kërkuar votën në këmbim të ndihmës. Gjendja është gjithmonë e më e keq. Xhaxhai që mban flamujt e fushatës së Berishës "Shqipëria po ndryshon", por, nga ana tjetër, për të nuk ka ndryshuar asgjë. Gjithmonë e më keq... të gjitha këto janë një panoramë e gjendjes ku ndodhet sot vendi ynë, problemet, kuotat e pagesave sociale dhe vuajtjet e vazhdueshme të asaj pjese shoqërie që në broshura e analiza quhen të varfër, apo persona që jetojnë nën minimumin jetik.