E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Ekonomikut: Hiqni stazhin

Studentët e degës së Financës kanë protestuar dje para dyerve të Fakultetit Ekonomik të Universitetit "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës, për kreditet e moduleve të mohuara. Dhjetëra studentë nuk mund ta vazhdojnë vitin e dytë, edhe pse kanë marrë pikët e krediteve, ndërkohë që për protestuesit rregullorja e re bie ndesh me të drejtën për të vazhduar shkollën. Duke folur për gazetën "Shqip", përfaqësuesi i studentëve protestues, Ermal Rustemi, shprehet: "Katër ditë para se të fillojë viti shkollor është mbledhur senati i universitetit dhe në mënyrë arbitrare pa marrë mendimin e studentëve, ka ndryshuar numrin e krediteve që duhen për të qenë kalues në një vit akademik. Kjo ka bërë që pjesa më e madhe e studentëve, në një kohë që mendonin se kanë kaluar në vitin e dytë, e kanë parë veten të mbetur në stazh. Kjo nuk është shkollë, studentët duhet të ishin të informuar që në fillim për kreditet që u duhen dhe më e keqja jo të ndryshohen kreditet pasi ka kaluar një vit shkollor dhe pa ditur studentët". Ndërkohë studentët kërkojnë nga drejtuesit e Universitetit të Shkodrës të japin një zgjidhje sa më të shpejtë, pasi ky sistem me këtë formulë modulesh i penalizon pa të drejtë. Studentët kanë kërcënuar me përshkallëzim të protestës deri në futjen në grevë urie, nëse nuk merren masa për ndryshimin e kësaj rregulloreje. Ndërkohë, nga drejtuesit e Universitetit "Luigj Gurakuqi" nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar në lidhje me protestën e studentëve.

Ar.Ho.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›