Studentët "zëvendësojnë" këshillin bashkiak
Studentë nga filiali universitar i Sarandës kanë "zëvendësuar" këshillin bashkiak të qytetit. Kanë qenë 25 studentë që kanë improvizuar dje një mbledhje të radhës së këshillit bashkiak, pikërisht në hollin e kinoteatrit "Butrinti", në sallën e mbledhjeve të parlamentit lokal. Kryebashkiaku Edmond Gjoka, kryetari i këshillit bashkiak, Arjan Demiri, sekretarja e këshillit, Polikseni Ikonomidhi, në mënyrë simbolike ua kanë lënë studentëve tryezën e drejtimit të mbledhjes së këshillit dhe kanë zënë vend në fund të sallës, ku është vendi i qytetarëve dhe grupeve të interesit. Të pranishëm kanë qenë Mehmet Nelaj, këshilltari më i vjetër, si edhe drejtori i filialit universitar Eduart Mehmeti dhe disa pedagogë. Nisur nga fakti se turizmi është përparësi e Sarandës, edhe mbledhja e improvizuar e studentëve, në rolin e këshillit bashkiak, vuri në qendër diskutimin për të sjellë përmirësimet e nevojshme për t‘i përgatitur qytetit një sezon turistik sa më të suksesshëm. Mbledhja u drejtua, duke vënë në qendër të saj problematikën që përballon realisht qyteti në këto momente dhe sipas procedurave e rregullave të njohura protokollare, me pyetje-përgjigje, me diskutime ku janë përballur mendime të kundërta, me shpjegime të studentëve të vënë në rolin e drejtuesve të sektorëve të administratës publike në bashki dhe duke u finalizuar me votim të hapur për çdo vendimmarrje. Nga ana e kryebashkiakut Gjoka është kërkuar që studentët të diskutojnë lirisht për problematikën, duke e ndier realisht qenien në një parlament lokal të qeverisjes vendore. Mbledhja është vlerësuar si një eksperiencë me vlerë për integrimin e tyre në jetën e qytetit e të qeverisjes, duke treguar se të jesh këshilltar do të thotë të ndjesh e të mbash përgjegjësi.
Tho.Ni.
Tho.Ni.