E Shtunë, 31 Tetor 2026

Iran-SHBA, takim historik pas 30 vjetësh

Autori i Lajmit: red.
Gjenevë - Nënsekretari amerikan i Shtetit, Uilliam Bërns, u takua dje për herë të parë kokë më kokë me kryenegociatorin iranian për çështjen bërthamore, Said Jalili, në kuadër të diskutimeve që po zhvillohen në Gjenevë, njoftoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Robert Uud. "Në kuadër të takimit, nënsekretari amerikan i Shtetit, Uilliam Bërns, i cili drejton delegacionin tonë, u takua me homologun iranian”, - theksoi për shtypin Uud, duke mos dhënë detaje të tjera lidhur me këtë takim. Ky takim ishte i pari për sa i përket një çështjeje mes dy vendeve, që prej ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes Teheranit dhe Uashingtonit 30 vjet më parë. Kryenegociatori iranian për çështjen bërthamore trajtoi edhe programin e shumëpërfolur bërthamor të shtetit islamik në deklaratën e tij hapëse gjatë bisedimeve me gjashtë fuqitë botërore në Gjenevë, deklaroi një diplomat perëndimor. Diplomati perëndimor tha se negociatori iranian, Saeed Jalili, përmendi "në mënyrë sipërfaqësore" programin bërthamor të Teheranit gjatë fjalës së tij të hapjes, edhe pse Jalili dhe zyrtarë të tjerë iranianë kishin deklaruar se nuk do të diskutonin në asnjë mënyrë për "të drejtat bërthamore" të Teheranit gjatë bisedimeve njëditore të Gjenevës. "Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania ripërsëritën se oferta e korrikut 2008 është ende e vlefshme",- deklaroi diplomati, i cili ishte i pranishëm në takim, pa pranuar të identifikohet. Së bashku me diplomatët evropianë, në bisedime marrin pjesë edhe zyrtarë të lartë amerikanë, rusë dhe kinezë. Në takim është i pranishëm edhe shefi i politikës së jashtme të BE-së, Havier Solana. Gjashtë fuqitë botërore i ofruan Iranit stimuj ekonomikë dhe politikë në shkëmbim të ndërprerjes së aktiviteteve delikate bërthamore. Diplomati deklaroi se ishte e paqartë nëse iranianët do të japin ndonjë sinjal se do të jenë të hapur për një kompromis lidhur me çështjen e ndërprerjes së pasurimit të uraniumit, sikurse kërkohet edhe në pesë rezoluta të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. "Do të informohemi më shumë pasditen e sotme (djeshme)", - deklaroi diplomati. Irani ka refuzuar të ndërpresë programin e pasurimit të uraniumit duke pretenduar se është një e drejtë sovrane. Autoritetet insistojnë se programi i tyre bërthamor ka si qëllim të vetëm prodhimin e energjisë elektrike.
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›