E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rumani, rrëzohet qeveria. Shpërbëhet koalicioni PSD- PDL

Autori i Lajmit: red.
Bukuresht - Koalicioni i qeverisë rumune është rrëzuar, pasi të gjithë ministrat e Partisë Socialdemokrate kanë dhënë dorëheqjen në shenjë proteste për shkarkimin e ministrit të Brendshëm, po nga kjo parti, Dan Nika. Presidenti rumun, Trajan Basesku, miratoi dje shkarkimin e ministrit të Brendshëm, Dan Nika. Në ditët e para të kësaj jave, socialdemokratët e koalicionit qeveritar kërcënuan me largim nga kabineti qeveritar nëse Basesku do të miratonte shkarkimin e Nicës nga posti i ministrit të Brendshëm. Kreu i Partisë Socialdemokrate, Mirçea Geoana, tha se ministrat dhanë dorëheqjen në shenjë “solidariteti" me ministrin e shkarkuar Dan Nika. Kryeministri Emil Bok firmosi të hënën shkarkimin e ministrit të Brendshëm për shkak të komenteve që ky i fundit kishte bërë ndaj Kryeministrit, duke e akuzuar për mashtrim në zgjedhjet presidenciale të planifikuara për 22 nëntor. Në vend të tij, në postin e ministrit të Brendshëm të përkohshëm Basesku miratoi Vasile Blaga, të Partisë Demokratliberale e kryeministrit Emil Bok. Atëherë Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Mirçea Geoana, deklaroi se vendimi nuk ka baza dhe se gjysma e ministrave në kabinetin janë të gatshëm që të japin dorëheqjen, në qoftë se Basesku miratonte shkarkimin nga puna, duke lënë prapa një qeveri të pakicës. PSD hodhi poshtë propozimin për kompromis për të emëruar një ministër të Brendshëm nga radhët jashtë koalicionit. Kryetari i Partisë Liberale, Adrien Videanu, deklaroi në një prononcim për median vendase se partia e tij mund të kërkojë mocion mosbesimi në Parlament për një qeveri të pakicës së re ose të emërojë ministrat e përkohshëm. Prishja e koalicionit mund të ndikojë negativisht në aftësinë e Rumanisë për të përmbushur standardet për financim të FMN-së thonë ekonomistët. Në qoftë se ministrat Socialdemokratë japin dorëheqjen, ne do të vazhdojmë të qeverisim vendin", - tha Adrien Videanu, i cili është edhe ministër i Ekonomisë, në një fjalim televiziv. "Ne mund të kërkojmë një votëbesim edhe pse jemi në minoritet, por kam besim se ligjvënësit do të jenë mjaft të ndjeshëm për të shmangur një krizë politike në krye të një krize ekonomike”. Dy partitë rivale formuan një koalicion qeverisës me dy të tretat e shumicës parlamentare më 14 dhjetor. Partitë do të konkurrojnë sërish në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, pasi secili duhet të propozojë kandidatin për president për një mandat pesëvjeçar. Presidenti aktual, Basesku, gëzon mbështetetjen e Liberaldemokratëve, por ende nuk dihet nëse do të kërkojë mandat të ri. Socialdemokratët thanë se do të propozojnë kandidatin e tyre në fillim të tetorit.
Ky lajm është publikuar: 02/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›