E Diel, 1 Nëntor 2026

Iran, varen në publik tre fajtorët për bombën në xhami

Tre burra të përfshirë në shpërthimin e një sasie të madhe lënde eksplozive në një xhami të qytetit Zahedan u varën publikisht të shtunën, vetëm dy ditë pas atentatit që vrau e plagosi dhjetëra besimtarë. Një zëdhënës i drejtësisë iraniane tha për agjencinë shtetërore IRNA se tre burrat, të quajtur Haxhi Noti Zehi, Gholam Rasul Shai Zehi dhe Zabihollah Narubi, kishin kaluar në rrugë të paligjshme sasinë e eksplozivit që u përdor të enjten në xhaminë shiite Amir al-Momenin.

Përpara ekzekutimit, zëdhënësi Hoxhatoleslam Ebrahim Hamidi tha për agjencinë IRNA: "Këta tre tradhtarë, të cilët kaluan kontrabandë eksplozivin dhe e vunë në dispozicion të terroristëve, luajtën rol të dorës së parë në atë krim". Që të tre u varën në praninë e publikut vetëm pak para zhvillimit të ceremonive mortore të viktimave të së enjtes. "Të tre u akuzuan për nxitjen e luftës (kundër Zotit), korrupsion e veprimtari kundër shtetit. U akuzuan dhe i pranuan krimet, ashtu si rolin që luajtën në kontrabandimin e eksplozivit brenda kufijve të vendit", vazhdoi zëdhënësi. Raportet për numrin e viktimave janë të ndryshme. Disa agjenci lokale njoftuan se bëhej fjalë për më shumë se 20 të vdekur dhe të paktën 125 të plagosur.

Zëdhënësi Hoxhatoleslam Ebrahim Hamidi tha se të tre qenë arrestuar përpara tragjedisë dhe se roli i tyre në kontrabandimin e eksplozivit ishte zbardhur deri në fund: "Menjëherë pas shpërthimit, rasti i tre burrave iu kalua për shqyrtim një skuadre gjyqtarësh, të cilët hetuan për 30 orë pa ndërprerje. Tre burrat u shpallën fajtorë pas një procesi të ligjshëm gjyqësor, ku u përfshi edhe një avokat që përfaqësoi palën mbrojtëse. Faktet u shqyrtuan deri në detaje dhe tre të akuzuarit rezultuan fajtorë".

Zëdhënësi sqaroi gjithashtu se të tre ishin ngarkuar me një seri të gjatë akuzash të tjera, përfshi pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë gjatë një atentati me bombë në një autobus, të kryer para tre vjetësh, si dhe për të paktën dy atentate të ngjashme në po të njëjtin qytet, në Zahedan. Ai shtoi se të tre ishin përfshirë në katër incidente pengmarrjeje, në planifikimin e tetë pengmarrjeve dhe operacioneve të tjera terroriste, të cilat ishin zbuluar nga forcat policore përpara se të viheshin në jetë. "Kjo dosje nuk është mbyllur ende. Këta të tre ishin veç një pjesë e komplotit, fajtorë të tjerë do të identifikohen dhe do ndëshkohen në të ardhmen e afërt", shtoi Hoxhatoleslam Ebrahim Hamidi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›