Irani e ka radhën nesër?
Plumbat që vrasin mund të jenë sunitë ose shiitë, të moderuar a radikalë, pro-perëndimore apo antiimperialiste. Njerëzit në qefin, po ashtu. Por regjimet që tërheqin këmbëzën ngjajnë sa më s’ka. Qoftë ai i Tripolit apo gjetiu kanë ditur të zëvendësojnë thirrjen e magjishme të një revolucioni në rrafsh botëror me ato të ruajtjes së kufijve të BE-së.
Të njëjtat falsifikime tubojnë njëherazi edhe regjime që vegojnë si të ndryshme. Edhe Teherani ka pretenduar të ndijojë tek zgjimi demokratik i vendeve arabe simptomat e një “zgjimi islamik”, të yshtur nga revolucioni iranian i vitit 1979; Izraelin e kanë zënë xhindet, por merr rolin e shtinjakut se këto zhvillime i kallin datën. Sidoqoftë, kur opozitarët iranianë shprehën dëshirën për të përshëndetur demonstratat në Kajro, regjimi teokratik iranian iu hodh në fyt.
Ushtria izraelite, as që bëhet fjalë të bëjë batërdinë apo të hapë zjarr ndaj qytetarëve të paarmatosur – vetëm kur bëhet fjalë për palestinezë, përjashtimi bën vend (1400 të vrarë në Gaza brenda dy viteve). Por, zotëria e tij, Beniamin Netanjahu, ashtu si homologët e tij iranianë, nuk e çmojnë etjen e rinisë arabe për liri. Nëse do të vepronin kështu, do t’i hiqnin vetes mundësinë të kishin aleatë për be e për kokë autokratë të tillë, edhe pse pro-amerikanë. Në këtë mënyrë, Tel Avivit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të thërrasë “ujku, ujku” për t’ia qepur gojën “dordolecit” iranian.
Përndryshe, tensionet me Izraelin dhe sanksionet ndërkombëtare nuk i lënë Iranit shtegdalje tjetër, nxitur edhe nga dobësimi i rivalëve të përkohshëm të tij (Egjiptit dhe Arabisë Saudite) veçse t’i grahë ligjëratave nacionaliste. Kjo mënyrë për të është shumë më frytdhënëse edhe për faktin se “lëvizja e gjelbër” e vitit 2009 nuk u davarit edhe pas dhunës që pësoi. “Udhëheqësi Suprem”, Ali Khamenei, shpresonte që “vaksina” e varjeve dhe torturave të kishte shkatërruar “gjenin” e kundërshtisë.
Mjerisht për të, zgjimi i botës arabe bashkë me kontrastin e thellë të krijuar mes një popullsie të arsimuar dhe një regjimi politik mesjetar, rrënon legjitimitetin tashmë të shkundur të regjimit të tij. Atëherë, në mungesë të mundësisë për të bombarduar me avionë të gjitha turmat e të pakënaqurve në vend, si në stilin libian, klani teokratik në pushtet ysht mbështetësit e flaktë për t’u bërë theror.
Të nesërmen e një mobilizimi të fuqishëm të opozitës iraniane, 222 nga 290 deputetët iranianë u shprehën kundër procesit gjyqësor ndaj Mehdi Karroubit dhe Hossein Moussavit, dy figura që gëzojnë respekt në vend dhe që jetojnë me “mbikëqyrje shtëpiake”, për shkak të kundërshtisë së shprehur ndaj “Udhëheqësit Suprem”. Teherani u shndërrua në skenën e një demonstrimi që kishte si synim të shprehte “urrejtjen, zemërimin dhe përçmimin ndaj krimeve shtazarake dhe të përbuzshme të shefave të tyre, për shkak edhe të provokimeve të shkaktuara nga aleatët hipokritë të regjimit”. “Agjentë të sionizmit” apo “vandalë”, këto janë etiketimet me të cilat regjimi kërcënon me jetë kundërshtarët e tij. Edhe pse shpërfaq mungesë të theksuar të imagjinatës dhe gjuhë të varfëruar, regjimi teokratik akoma nuk u ndjen veten me shpatulla pas muri. Perëndimi ende po shfaqet shpërfillës ndaj këtij realiteti. Megjithatë, mbijetesa e këtij regjimi është e brishtë, siç u shpreh edhe presidenti turk Abdulla Gül në vizitën e tij të fundit në Teheran: “Kur krerët e shtetit nuk u kushtojnë vëmendje kërkesave të qytetarëve të një vendi, atëherë është populli vetë që merr në dorë fatet e tij”.