E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani i thotë jo ofertës së Obamës

Lideri suprem i Iranit ktheu mbrapsht dje ofertën e Presidentit amerikan, Barak Obama, për përmirësimin e raporteve mes dy vendeve, duke nënvizuar se Teherani qe në pritje të ndryshimeve thelbësore në qëndrimet e Uashingtonit. Ajatollah Kamenei, lideri shpirtëror i Iranit, e mbajti këtë qëndrim në përgjigje të një mesazhi video të dhënë një ditë më parë nga Barak Obama me rastin e festës së Nevruzit, vitit të ri persian, përmes të cilit Presidenti amerikan shprehej se shpresonte shumë në përmirësimin e raporteve mes dy shteteve pas 30 vjet fërkimesh të forta.

Duke iu përgjigjur drejtpërdrejti ftesës për paqtim të Obamës, Kamenei vërejti se nuk mund të ndryshonte asgjë në raportet mes dy vendeve deri në çastin kur Presidenti amerikan nuk vendos t‘u japë fund qëndrimit të ashpër ndaj Iranit dhe të bëjë "ndryshime të vërteta" në politikën e jashtme. "Ata përsërisin me zë të lartë sloganin e ndryshimeve, por asnjë ndryshim nuk është vërejtur në praktikë. Nuk kemi parë asnjë lloj ndryshimi", tha Kamenei gjatë një fjalimi të mbajtur para dhjetëra mijëra vetëve të mbledhur në qytetin e shenjtë të Mashadit.

Në mesazhin video, Obama sqaronte se Uashingtoni donte të niste bashkëbisedimin me Iranin, por duke paralajmëruar se Teherani do mund të zinte vendin e duhur brenda komunitetit ndërkombëtar "jo përmes terrorit të armëve, por përmes veprimeve të kryera në emër të paqes, përmes të cilave populli i Iranit të tregonte madhështinë dhe civilizimin e tij".

Kamanei shtroi para të pranishmëve pyetjen se si mundej Obama që duke i uruar iranianët për vitin e ri ta akuzonte vendin për mbështetje ndaj terrorizmit dhe ta akuzonte vendin për armatosje nukleare. Shtoi se në gjuhën e përdorur nga Obama nuk kishte ndryshime nga ajo e përdorur prej pararendësve të tij. "Ai (Obama) fyeu Republikën Islamike të Iranit që në ditën e parë. Në rast se ti thua se ndryshimi ka ndodhur, ku është? Cila është ajo shenjë që tregon praninë e ndryshimit? Na bëj të qartë për atë që ka ndryshuar". E megjithatë, lideri shpirtëror e la derën të hapur për ndryshime në raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë: "Në rast se jo do ndryshoni, edhe sjellja jonë do të ndryshojë".

Lidhjet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit janë prishur pas marrjes së pengmarrjeve në Ambasadën Amerikane në vitin 1979, ditët që pasuan revolucionin islamik, i cili rrëzoi nga pushteti Shahun pro amerikan për ta zëvendësuar me një kastë klerikësh. SHBA bashkëpunoi me Iranin gjatë viteve 2001 dhe 2002 gjatë konfliktit në Afganistan, por kontaktet premtuese u dobësuan për të marrë fund tërësisht kur Presidenti Bush e etiketoi Iranin si "Boshti i së Keqes".

Kamenei numëroi një listë të gjatë me rezervat e Iranit ndaj Shteteve të Bashkuara gjatë 30 viteve të fundit, duke shtuar se Uashingtoni vazhdimisht kishte ndërhyrë në punët e brendshme të vendit. Përmendi sanksionet e ndërmarra ndaj Iranit, mbështetjen e amerikanëve karshi diktatorit Sadam Husein gjatë viteve tetëdhjetë në luftën e tij kundër Iranit dhe rrëzimin e një avioni iranian në Gjirin Persik në vitin 1988. Akuzoi gjithashtu Uashingtonin për provokimin e tensioneve etnike në Iran duke konsideruar shenjë presionesh të forta edhe akuzat e Shtëpisë së Bardhë, sipas të cilave, Irani po kërkon të prodhojë armë nukleare. "I keni liruar astetet e ngrira të Iranit? I keni hequr sanksionet? Keni hequr dorë së hedhuri baltë mbi kombin e madh iranian dhe zyrtarët e tij? Keni reshtur së mbështeturi me të gjitha forcat regjimin sionist? Edhe gjuha ka mbetur e pandryshuar", vërejti Kamenei gjatë fjalimit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›