Irani në 30-vjetorin e Revolucionit
Nga Gary Thomas VOA
Irani ka fasadën e një shteti demokratik me të gjitha elementet e tij. Në atë vend mbahen zgjedhjet, ekziston një Parlament funksional dhe një kryeekzekutiv në formën e Presidentit.
Por siç shprehet analisti i çështjeve të Lindjes së Mesme, Aleks Vatanka, gjërat nuk janë ashtu siç duken.
“Le të jemi të sinqertë. Irani është shumë më demokratik sesa shumica e fqinjëve të tij në Lindjen e Mesme. Irani zhvillon zgjedhje, megjithëse ato nuk janë të lira e të drejta, e as demokratike. Në Iran kemi të bëjmë me një regjim që i thotë elektoratit se për cilin kandidat duhet të votojë”.
Pushteti i vërtetë në Iran është në duart e Ajatollah Ali Kameneit, udhëheqësi suprem i republikës islamike.
Ai është vetëm personi i dytë që mban këtë post. I pari ishte babai i Iranit islamik, Ajatollahu Komenei.
Pushtet kanë edhe rreth 50 veta, të cilët janë pjesë e organeve të tilla si Këshilli i Gardës dhe Këshilli Suprem.
Parlamenti mund të kritikojë Presidentin, madje e ka bërë këtë, veçanërisht lidhur me politikat ekonomike, por ka prirjen të qëndrojë larg çështjeve sensitive si programi bërthamor dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.
Korpusi iranian i Gardës Revolucionare u krijua si fuqi qendrore pas luftës 8-vjeçare me Irakun në vitet 80.
Presidenti Mahmud Ahmedinexhad, i njohur më së miri në Perëndim për retorikën e tij të ashpër, ishte anëtar i Gardës Revolucionare si dhe veteran lufte dhe mbështetja politike i vjen nga ish-shokët e tij. Por nuk është e qartë se sa autoritet ka ai apo çdo president tjetër në çështjet politike.
Analistët thonë se ekonomia pritet të jetë çështja kryesore në zgjedhjet e qershorit. Të ardhurat nga nafta kanë rënë ndjeshëm dhe inflacioni vitin e kaluar ishte më shumë se 25 për qind.
Reva Balla, analiste e çështjeve të Iranit me firmën private të zbulimit, “Stratfor”, thotë se subvencionet, që u bëjnë të mundur konsumatorëve ta blejnë naftën fare lirë, janë shumë të kushtueshme, por edhe shumë popullore.
“Po bëhet më e vështirë për Iranin që të mbështetet në të ardhurat e veta dhe për më tepër të vazhdojë subvencionet, prandaj ne do të shikojmë bllokimin e subvencioneve. Ndërkohë, ne kemi dëgjuar mjaft kritika në adresë të Presidentit iranian dhe jam më se e sigurt se këto kritika do të dalin në dritë në zgjedhjet e qershorit”.
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka lënë të kuptohet se është gati të bisedojë drejtpërdrejt me Iranin, nëse rrethanat janë të përshtatshme.
“Garda Revolucionare, - thotë analistja Balla, - ka të ngjarë të luajë rol në zgjedhjet e ardhshme si dhe në çdo dialog të ardhshëm mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.
“Një gjë nuk duhet harruar se pavarësisht se kush fiton në zgjedhje, korpusi iranian i Gardës Revolucionare është dhe do të jetë një aspekt shumë i rëndësishëm. Ky korpus i takon fraksionit tepër konservator brenda Iranit”.
Por 30 vjet dyshime dhe armiqësi nuk mund të zhduken menjëherë nëpërmjet zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara dhe në Iran.