E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bregdeti midis realitetit dhe spekulimit mediatik



Nga Nebil Çika

Bregdeti po vihet në qendër të vëmendjes së opinionit publik për shkak të përqendrimit të mediave të opozitës tek sulmi i radhës ndaj familjes së Kryeministrit, që merr shkak, siç pretendohet, nga prishjet e disa ndërtimeve pa leje në një plazh të Jonit kohë më parë. Jali dhe krejt zona e bregdetit të Jonit nuk kanë qenë ndonjëherë kaq të reklamuar nga mediat që pavarësisht nga qëllimi, po e kthejnë vëmendjen drejt një zone tërësisht të injoruar disa vite më parë. Mirëpo ajo që duket shqetësuese në këtë publicitet të paparë të mediave të majta është pa dyshim devijimi i vëmendjes së opinionit nga realiteti, gjë që mund të jetë me pasoja për ekonominë kryesore të zonës, turizmin. Pavarësisht nga motivet, evidentimi i prishjeve të ndërtimeve pa leje në këtë zonë ende të pa “Golem”-izuar të bregdetit shqiptar është pa dyshim theksimi i faktit që qeveria aktuale ka një plan serioz zhvillimi që është mbështetur nga një projekt i madh investimesh që natyrshëm nuk mund të jenë në fokus të medieve të opozitës. Për ata që nuk kanë pasur mundësinë ta shohin këtë sidomos dy-tre vitet e fundit, pamjet dhe fotot me fadroma që prishin objektet pa leje diktojnë një imazh të rremë për perlën turistike shqiptare. Në fakt realiteti nuk është ky. Bregdeti është një zonë me shumë probleme, por dy më kryesoret kanë qenë pronësia mbi tokën dhe infrastruktura. Deri para një viti kalimi në këtë zone bëhej nëpërmjet rrugës arkaike të ndërtuar nga italianët në Luftën e Parë Botërore. Ata që kanë pasur fatin të udhëtojnë e kanë të qartë ferrin që duhet të përshkojë për të shkuar në plazhet e mrekullueshme të zonës. Mirëpo në tri vitet e fundit, falë investimeve të qeverisë ky “mallkim” është zhdukur dhe zëvendësuar me një rrugë të standardeve perëndimore. Projekti që përfundon në pranverë ka lehtësuar dukshëm jetesën e banorëve dhe ka mundësuar një zhvillim natyrisht, jo të paligjshëm, si ai që fokusohet në mediat e opozitës. Por ndërtimi i rrugës me gjithë rëndësinë parësore të saj nuk është i vetmi projekt serioz. Ka një tjetër po kaq të rëndësishëm që duket se përbën edhe shqetësimin e opozitës dhe mediave të saj. E ka fjalën për një proces të nisur nga qeveri dhe institucione të tjera të shtetit që synon zgjidhjen e problemit të pronësisë në një nga zonat më të masakruara në qeverisjen e mëparshme. Zyrtarë të policisë, Kontrollit të Shtetit, prokurorisë dhe pushtetit lokal kanë nisur verifikimin e titujve të pronësisë në këtë zonë dhe nga të dhënat paraprake flitet për grabitje masive të tokave dhe trojeve mbas të cilave qëndrojnë politikanë të rëndësishëm të së majtës si dhe botues të disa prej mediave të saj. Studimi i BB-së dhe hetimi i titujve të pronësisë ka bërë që në bregdet të prishin apo të kërcënohen interesa të mëdha dhe projekte mafioze të planifikuara, madje edhe të zbatuara gjatë qeverisjes së majtë. MNTTK-ja ka bërë publik anulimin e planeve të një fshati turistik të një botuesi shumë pranë Edi Ramës, por ndërkohë ka prova të tjera prona të grabitura apo projekte të politikanëve të opozitës apo lidhjeve të tyre familjare që janë bllokuar pikërisht prej projektit të BB-së dhe hetimit të titujve të pronësisë.

Me gjithë përpjekjet e mediave të opozitës për ta paraqitur fokusimin e tyre në bregdet si përpjekje për mbrojtjen e interesave të banorëve të zonës, nuk besoj që ndonjë prej tyre ta hajë këtë mashtrim politiko-meditaik. Ata kanë sy shikojnë vetë realitetin, ndërkohë që arrijnë të dallojnë cilat janë problemet reale për zgjidhjen e të cilave kanë vërtet nevojë për ndihmën e politikës dhe mediave. Falë orientimit të tyre, kjo zonë ka shpëtuar nga ndërtimet masive pa leje, gjë që do të ishte një shkatërrim. Prishja e atyre pak ndërtimeve të këtij lloji në Jal apo në plazhe të tjera të bregdetit përbën ndoshta një nga veprimet më të drejta të qeverisë, pasi ka frenuar atë fenomen që ne shohim çdo ditë në zonat informale, betonizimin dhe shkatërrimin e plazheve. Në vend që veprime të tilla të inkurajohen nga media ato po stimulohen vetëm e vetëm se prishja apo ndalimi i tyre ka prishur projektet dhe planet mafioze të ndërprera në mes nga ndryshimi politik i 2005-s. Si përfundim, as përgjërimi hipokrit i mediave të majta për bregdetin e as fushata propagandistike ndaj familjes së Kryeministrit nuk sugjestionojnë më shqiptaret në mënyrë të veçantë banorët e qytetëruar të bregdetit. Ata që kanë mundësinë të kalojnë këtej, janë lehtësisht në gjendje ta bëjnë dallimin midis realitetit, interesave dhe nevojave të zonës dhe spekulimit politiko-mediatik

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›