E Shtunë, 31 Tetor 2026

Irani përgënjeshtron deklaratat për bombë atomike

Teheran - Irani ka përgënjeshtruar deklaratat amerikane për disponimin e mudnësive të prodhimit të bombave atomike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Hasan Kashkavi ka deklaruar se “në doktrinën e mbrojtjes iraniane nuk ka ekzistuar ndonjëherë ideja e prodhimit të bombave atomike. Këto deklarata janë pjesë e propogandës diplomatike të atyre që i thonë”.

Më parë ishte shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane Michael Mullen që deklaroi se Irani ka material të mjaftueshëm për të prodhuar bombën bërthamore. I pyetur nga kanali televiziv CNN nëse Teherani kishte materiale të mjaftueshme për të ndërtuar bombën bërthamore, admirali Mullen u përgjigj: "Krejt sinqerisht, ne mendojmë se po". "Ndërsa një Iran i pajisur me armën bërthamore, ka kohë që e mendoj është një perspektivë shumë e keqe për rajonin dhe për botën", tha ai në CNN.

Deklaratat e admiralit Mullen përbëjnë një hap tjetër në kontekstin e shqetësimeve nga ana e perëndimorëve mbi mundësinë që Teherani të arrijë të pasurojë uranium të mjaftueshëm për të prodhuar bombën bërthamore. Deklarata e shefit të Shtabit të Përgjithshëm vjen pas botimit të një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (AIEA) që nënvizon se Irani ka bërë përparime në procesin e tij të pasurimit të uraniumit. Sipas AIEA-s, Irani disponon tashmë 1.010 kilogramë uranium jo shumë të pasuruar, të prodhuar nga uzina e tij e Natanzit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›