E Diel, 1 Nëntor 2026

Irani provon raketën në prag të takimit të Gjenevës

Irani ka provuar dje një raketë me rreze të gjatë veprimi, që sipas një burimi ushtarak, ka aftësinë që të arrijë çdo objektiv rajonal. Në këtë mënyrë, Irani ka treguar "muskujt" në prag të bisedimeve kyçe që do të zhvillohen këtë javë me fuqitë e mëdha që janë të shqetësuara për ambiciet bërthamore të Iranit. Kjo provë shkon paralelisht me rritjen e tensionit mes Teheranit dhe Perëndimit, pas zbulimit të javës së fundit se vendi islamist po ndërtonte një uzinë të dytë për pasurimin e uraniumit. Pikërisht ky lajm ka përshpejtuar takimin mes Teheranit dhe disa vendeve perëndimore që do të zhvillohet në Gjenevë të Zvicrës. Në tryezë, zyrtarët iranianë do të jenë përballë përfaqësuesve të 6 vendeve të ndryshme mes të cilave Kina, SHBA dhe Rusia. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Gates, i cili ka thënë se çdo veprim ushtarak ndaj Iranit vetëm sa do të "blinte kohë", ka thënë se pavarësisht të gjithave, diplomacia është shumë e nevojshme, sigurisht e shoqëruar me sanksione në lidhje me bllokada bankare, apo teknologjike. Ministria e Jashtme e Iranit bëri të ditur se mes provave të raketës dhe aktivitetit bërthamor nuk kishte asnjë lidhje. Sa për raketën, sipas shtypit vendës, bëhet fjalë për një raketë Shahab 3 tokë-tokë me një rreze deri në 2000 kilometra. Ajo u provua me sukses. Sipas specialistëve një raketë me një rreze të tillë veprimi përfshin edhe objektivat në Shtetet e Bashkuara dhe në Izrael. Sipas një ushtaraku të lartë iranian, të gjitha objektivat në rajon janë të arritshëm nga raketa. Por pavarësisht pretendimeve të iranianëve, kjo provë nuk ka kaluar pa u komentuar nga komuniteti ndërkombëtar. Sekretari i Jashtëm britanik, Miliband, tha se prova ishte pjesë e një "provokimi të përvitshëm" nga ana e Iranit aq më tepër që është bërë në javën që do të nisin bisedimet mes Teheranit dhe fuqive të tjera ndërkombëtare në lidhje me ambiciet e tij bërthamore. Zëdhënësi i Pentagonit i quajti provat "shumë shqetësuese". Ai shkroi se Shtetet e Bashkuara dhe kombet e tjera ishin të përqendruara te bisedimet për të parë mundësinë e eksplorimit të plotë të kanaleve diplomatike dhe hapat pasues që duhet të ndërmerren. Franca i bëri thirrje Iranit që të ndjekë rrugën e bashkëpunimit dhe jo atë të konfrontimit duke u dhënë fund menjëherë aktiviteteve të saj destabilizuese. Ndërsa Rusia bëri thirrje për përmbajtje. "Nuk duhet t‘u jepemi emocioneve tani, por duhet që të përpiqemi të qetësohemi dhe gjëja më e rëndësishme për të bërë është që të nisim një proces bisedimesh në Gjenevë që të jetë produktiv. Sipas të dhënave, komuniteti ndërkombëtar do të presë reagimet e Teheranit në lidhje me ambicien e tij bërthamore dhe më pas do të vendosë se cili do të jetë hapi i radhës për t‘u ndërmarrë. Presidenti rus, Medvedev, tha të premten se nëse Irani nuk do të bashkëpunojë në takim, atëherë do të duhet të përdoren mekanizma të tjerë me Teheranin. Në këtë fjalë, ai nuk e specifikoi nëse Rusia ishte apo jo pro ndërmarrjes së sanksioneve, por për herë të parë i bëri Teheranit një kërkesë shumë serioze dhe me ton ndryshe. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë e kanë bërë të qartë se ata në takimin e Gjenevës do të përqendrohen në çështjen bërthamore. Në fakt, takimi i thirrur nga Teherani synon diskutimet në lidhje me një sërë çështjesh që kanë të bëjnë me sigurinë ndërkombëtare dhe se nuk do të diskutojë në lidhje me çështjen e tij bërthamore. Për sa i përket Pentagonit, shefi i tij tha në një intervistë për CNN se shpresonte që zbulimi i uzinës së dytë të pasurimit të uraniumit t‘i bënte iranianët më të dhënë për të bërë koncesione ndaj komunitetit ndërkombëtar. Ndërsa për sekretaren e Shtetit, Klinton, shpresa ishte që Irani të paraqiste një provë bindëse në takim. Ndërkohë, deri më tani as Shtetet e Bashkuara, as Izraeli nuk e kanë hequr nga axhenda, apo përjashtuar mundësinë e një sulmi të armatosur, nëse diplomacia do të dështojë. Kësaj perspektive, Irani i është përgjigjur se në një rast sulmi do të dijë që t‘u kundërpërgjigjet më së miri objektivave në Izrael dhe në Shtetet e Bashkuara, si dhe do të mbyllte ngushticën e Hormuzit, një kalim shumë i rëndësishëm për furnizimin e shumë vendeve të botës me naftë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›