Nxënësit, protestë për largimin e mësueses "monstër"
Dhuna e ushtuar nga mësuesja e fizikës i ka detyruar nxënësit e tre klasave të 9-ta në shkollën "Andon Xoxe" të Fierit, të protestojnë dhe kërkojnë largimin e saj nga puna. Pasi kanë njoftuar drejtorinë e shkollës, nxënësit kanë lënë orët e para të mësimit dhe kanë protestuar përpara shkollës, nga ku kanë kërkuar ndihmën e institucionit më të lartë arsimor në Fier për largimin e mësueses Majlinda Rista. "Është e sëmurë mendore, e dhunshme dhe e frikshme", këto kanë qenë ankesat e nxënësve të klasës së 9-të të shkollës "Andon Xoxe" në qytetin e Fierit. Protesta e nxënësve është mbështetur edhe nga bordi drejtues i shkollës dhe dhjetëra prindër. Nxënësit kanë kërkuar largimin nga puna të mësueses Majlinda Rista, me motivimin se ajo ushtronte presion dhe dhunë tek ata. "Në orën e saj të mësimit qëndrojmë me frikë. Na ka rrahur dhe kërcënuar. Gjendja e saj përkeqësohet kur ka mot me shi e me bubullima. Ndaj ne lusim gjithmonë që të kemi mot të mirë", shkruhet në relacionin e firmosur nga të gjithë nxënësit e tre klasave të nënta të shkollës "Andon Xoxe". Të njëjtin shqetësim ka dhe vetë drejtori i shkollës "Andon Xoxe". "Unë kam pasur sinjale herë pas here qysh një vit më parë, por asnjëherë nuk kam pasur një rast konkret dhe flagrant. E kam kërkuar me ngulm një rast të tillë, por asnjëherë nuk më është servirur. Një rast që kam vënë re ka qenë një debat i ashpër që kjo mësuese ka bërë me një kolegen e saj, por që nuk është mësuese në shkollën tonë, është thjesht anëtare e bordit drejtues. Menjëherë këtë rast e kam relatuar te Drejtoria Arsimore dhe kjo e fundit e pezulloi përkohësisht", ka thënë drejtori i shkollës 9-vjeçare "Andon Xoxe", Remzi Kalemi. Ndërkohë, në Drejtorinë Arsimore shprehen të pafuqishëm ndaj këtij rasti. "Nuk mund ta largojmë nga puna, pasi nuk ka bazë ligjore. Duhet që ne të kemi rast konkret abuzimi, qoftë dhe presioni, dhune, kërcënimi ose të jetë në ndjekje penale. Asnjë prej tyre nuk është në këtë rast dhe ne e kemi të vështirë për të vendosur", kanë thënë përfaqësues të Drejtorisë Arsimore Fier.
M.Troka
M.Troka